Arkeologët zbulojnë mbetjet e qytetit të humbur të Tenea së parë të vendosur nga të burgosurit që mbijetuan gjatë luftës së Trojës.
Arkeologët kanë gjetur mbetjet e para të prekshme të një qyteti të humbur që grekët e lashtë besonin se u krijua nga robërit e luftës të Trojës pas rënies së kësaj të fundit.
Ministria greke e Kulturës tha se gërmimet nga shtatori deri në fillim të tetorit në rajonin jugor grek të Peleponezit kanë dalë me ‘prova për ekzistencën e qytetit të lashtë’ të Teneas, deri më tani i njohur kryesisht nga tekstet e lashta.
Gjetjet përfshijnë mure prej argjile, dysheme prej guri ose mermeri, si dhe qeramika të shtëpisë, dhe më shumë se 200 monedha që datojnë nga shekulli i 4-të Para Erës së Re e deri te periudha e vonshme romake.
Deri më tani, nuk dihej shumë për Tenean, përveç referencave të lashta për lidhjen me Trojën dhe qytetarët e saj që formonin pjesën më të madhe të kolonëve grekë që themeluan qytetin e Sirakuzës në Sicili.
Një kavanoz qeramike që përmban mbetjet e dy fetuseve njerëzore u gjet gjithashtu në themelet e një ndërtese. Kjo ishte e pazakontë, pasi grekët e lashtë zakonisht varrosnin të vdekurit e tyre në varreza të organizuara jashtë mureve të qytetit.
Arkeologia kryesore Elena Korka, e cila ka gërmuar në zonë që nga viti 2013, tha për AP, se ekipi i saj kishte gërmuar vetëm në varrezat përreth Tenea deri në këtë vit.
Korka tha se gërmimet do të vazhdojnë gjatë viteve të ardhshme.
“Qyteti kishte forma të dallueshme qeramike me ndikime lindore, mbajtje kontaktesh si me lindjen, ashtu edhe me perëndimin … dhe kishte mënyrën e vet të të menduarit, e cila, deri në masën që mundi, formoi politikat e veta”, tha ajo.
Tenea mbijetoi shkatërrimin romak të Korintit fqinj në 146 Para Erës së Re dhe lulëzoi nën sundimin romak. Duket se ka pësuar dëmtime gjatë një pushtimi gotik në fund të shekullit të 4-të pas lindjes së Krishtit dhe mund të ketë qenë braktisur rreth kohës së inkursioneve sllave dy shekuj më vonë.
Më 24 prill 1184 Para Erës së Re, ushtritë e fiseve greke pushtuan qytetin e Trojës, në Turqinë moderne që shënonte fundin e luftës dhjetëvjeçare të Trojës.
Lufta ishte ndezur një dekadë më parë kur Helena, braktisi burrin e saj Menelaus, mbreti i Spartës për Parisin e Trojës, pasi perëndesha Afërditë e bëri ‘të bie në dashuri’ me të.
Menelaus e bindi vëllain e tij Agamemnon, mbretin e Mikenës për të udhëtuar në Trojë për ta rikthyer Helenën. Atij iu bashkuan Odiseu, Nestor dhe Ajaksi, dhe u shoqëruan nga një flotë prej më shumë se një mijë anije.
Pas dhjetë vjet lufte të madhe me plotë humbje nga radhët e të dyja palëve, dhe kur grekët e ndienin veten të mposhtur dhe të pashpresë për fitore, Odiesu doli me planin dinak për t’iu dhënë trojanëve një kalë prej druri si dhuratë për fitoren e tyre dhe përfundimin e luftës. Trojanët e morën brenda pallatit të tyre pa e ditur se brenda në kalin e drunjtë ishin të fshehur luftëtarët grekë, të cilët sapo ra nata vranë rojet dhe hapën dyert për ushtritë greke, që dogjën qytetin e Trojës.
Për shekuj me radhë ishte besuar se kjo ishte në fakt vetëm një legjendë e poetit të lashtë Homeri, të përshkruar në veprën Iliada, por sot ende shumica besojnë se Troja e vërtetë është aty ku sot ndodhet Hissarlik në Turqi. /kp/Telegrafi/