Mbi 4 miliardë euro pritet të jetë kostoja financiare e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re” sipas Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm.
Në një analizë të publikuar të mërkurën thuhet se me një strukturë të financimit, ku 70 për qind e kostos pritet të mbulohet përmes kredisë dhe 30 për qind përmes investimeve private, si dhe me aplikimin e normës së brendshme të kthimit prej 7.5 për qind, kostoja totale e ndërtimit të TC “Kosova e Re”do të arrijë vlerën mbi 4 miliardë euro, shkruan Koha Ditore .
Gjatë analizimit të kontratës mes Qeverisë dhe “Contour Global” për ndërtimin e TC “Kosova e Re”, KOSID-i ka konstatuar se me të parashihen edhe kompensime shtesë, të cilat duhet t’iu sigurohen kompanisë në fjalë, e të cilat do të ndikojnë në rritjen e kostos totale të ndërtimit.
Përveç kostove të larta, sipas KOSID-it, një projekt i tillë do të shkaktojë rritje të çmimit të energjisë.
Në analizë thuhet se Seksioni 3.6, pika a e Marrëveshjes për blerjen e energjisë elektrike e obligon Kosovën që të ofrojë ujë me një kualitet të caktuar për termocentralin.
Sipas saj, specifikat e kërkesave të kualitetit të ujit duhet të jenë në pajtim me GenCo (Contour Global).
Për më tepër, kryeministri Ramush Haradinaj kishte thënë se arritja e marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” kap vlerën 1 miliard e 300 milionë euro, dhe me këtë do të sigurohet një situatë e qëndrueshme energjetike.