Aktivistët e VV-së e bëjnë për pesë pare Shpend Ahmetin, nuk lënë gjë pa i thënë

E publikuar: 08/03/2018 09:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dorëheqja e Shpend Ahmetit, kryetarit të Prishtinës, nga të gjitha pozitat në Vetëvendosje ka ngritur paknaqësi të shumta te aktivistët e kësaj partie, që e kanë vërshuar atë me komente nga më të ndryshmet në rrjetet sociale, duke i kërkuar edhe që të dorëhiqet, shkruan Gazeta Express.

Goditja e fundit, partisë që thirret për grupin më të madh parlamentar në Kuvend, iu bë nga kryetari i Prishtinës, që për dy mandate fitoi këtë post nën petkun e VV’së.

Ndonëse Ahmeti për t’i ikur linçimit zgjodhi që letrën e dorëheqjes të mos ta shpërndajë në rrjetet sociale, ndryshe nga të dorëhequrit e tjerë, ai nuk iu ka shpëtuar ofendimeve të shumta.

Në posimet që i kishte bërë më herët, ai është ofenduar në mënyra të ndryshme, duke iu kërkuar kështu që së bashku me dorëheqjen nga pozitat brenda partisë, të dorëzojë edhe mandatin e kryetarit të komunës.

Kujtojmë që Shpend Ahmeti është përfolur tash edhe sa kohë si çels i bashkimit brenda kësaj partie, duke u thënë se ai ishte edhe i dërguar i Albin Kurtit për negociata me të dorëhequrit.

Si duket joshja me postin e kandidatit për kryeministër, për të cilën është përfolur se do t’i ofrohet atij nga partia Socialdemokrate e Dardan Molliqajt e Visar Ymerit ka qenë edhe arsyeja pse ai ka ndërruar kahje./Express/