Skriptet për prodhimin e monedhave virtuale të integruara brenda uebsajteve po shndërrohen në një problem për telefonët megjithatë Opera kërkon të eliminojë këtë kërcënim njëherë e mirë.
Kompania e cila tashmë ofron mbrojtje ndaj këtyre skripteve në desktop do të sjellë të njëjtin nivel mbrojtjeje edhe për telefonët.
Veçoria e re e disponueshme në Opera Mini dhe Opera për Android është pjesë e bllokuesit të reklamave.
Sipas Opera 1 miliard pajisje në mbarë botën po ngadalësohen nga këto skripte ndërsa përdoruesit nuk e kuptojnë se nga vjen.
Gjithashtu kompania beson se 3 milion uebsajte kanë minera kriptomonedhash të integruara.
Dëmi i shkaktuar nga këto skripte që shfrytëzojnë procesorin në 100% mund të jetë edhe i përhershëm.
Sipas ZDNet bateria e një telefoni kishte shpërthyer nga nxehtësia e lartë e gjeneruar nga një trojan kriptografik. Përditësimi në Opera Mini dhe Opera for Android është i disponueshëm në Play Store. /PCWorld Albanian