Bitconnect, platforma e këmbimit të monedhave kriptografike e cila prej shumë analistësh dhe investitorësh shihej si një skemë ponzi, lajmëroi ditën e Marte mbylljen e operacioneve.
Përmes një njoftimi në uebsajt, platforma tha se do të ndalonte aktivitetin si rezultat i presionit të lartë mediatik dhe sulmeve DDoS të vazhdueshme.
Ndërsa platforma thotë se do të rimbursojë të gjitha investimet me një vlerë prej 363.62 dollarësh për BCC, monedha e Bitconnect ka rënë me 80% dhe aktualisht tregtohet me vetëm 40 dollarë.
Komuniteti i monedhave kriptografike vazhdimisht ka akuzuar hapur Bitconnect për mënyrën e funksionimit ngjashëm me një skemë ponzi akuza të cilat kanë mbërritur deri tek themeluesi i Ethereum Vitalik Buterin.
Platforma mbështetej në monedhën e quajtur BCC e cila tashmë është e pavlerë duke qenë se platforma e saj është mbyllur.
Në vetëm pak orë monedha ra nga 200 dollarë në 37 dollarë.
Bitconnect ishte një platformë ku përdoruesit mund të jepnin me “qera” monedhat e tyre virtuale dhe të fitonin pas deri në 40% të tyre dhe deri në .25% bonus ditor.
Fitimi duke shfrytëzuar luhatjet në bursa është plotësisht e ligjshme. Por premtimi i Bitconnect është përtej imagjinatës sepse garanton fitime marramendëse andaj shihej si një skemë ponzi.
Veçanërisht monedha e Bitconnect ishte shumë popullore në Kosovë dhe është një prej vendeve që ka investuar më të shumti në Bitconnect.
Kompania thotë se ICO-ja e saj vijon të jetë aktive dhe mbështetja për BCC do të vijojë.
Dhënia e BCC-ve në këmbim të anëtarësimit në platformë dërgoi vlerën e monedhës deri në 2.6 miliardë dollarë në total. /PCWorld Albanian