Kompanitë e sektorit call center në Shqipëri po kalojnë një situatë të vështirë, teksa presioni nga qeveria italiane sa vjen e shtohet. Në dhjetor 2017, një tjetër ligj i kaluar me buxhetin italian detyron që të bëhen të identifikueshme telefonatat që arrijnë nga call center. Kjo është një masë kundër telemarketingut agresiv, e cila u bë ligj, shkruajnë mediat italiane. Ligji italian detyron brenda tre muajsh vendosjen e një prefiksi për telefonatat komerciale, duke i dhënë një goditje telemarketingut.
Ligji synon që të mbrojë miliona italianë nga bezdisja e call center, pasi ai është kundër telemarketingut agresiv: kush nuk do të marrë oferta të padëshiruara mjafton të regjistrohet që të mos i marrë ma ato. Kjo do të sjellë më pak klientë potencialë të arritshëm dhe më pak punë për kompanitë call center. “Në këtë mënyrë do të ketë më pak mashtrime dhe do të mund të dallohen call center serioze nga ato bandite, ato që bëjnë kontrata serioze dhe ato që shfrytëzojnë njerëzit », ka pohuar deputeti italian Michele Mognato, gjatë referimit të ligjit në senatin italian.
Ndonëse ligji është kundër call center dhe thirrjeve dalëse (outbound) në përgjithësi, operatorët shqiptarë të tregut pohojnë se kjo lëvizje do ta vështirësojë akoma më shumë punën edhe për kompanitë që veprojnë në Shqipëri në aktivitetin e call center, ku klientët kryesorë janë sipërmarrjet italiane (operatorët shqiptarë marrin në telefon klientë potencialë, për llogari të kompanive të ndryshme italiane, që t’i bindin ata për produkte apo shërbime të caktuara). Operatorët e tregut pohojnë se më shumë se gjysma e aktivitetit të kompanive call center në Shqipëri është në telemarketing.
Kjo është goditja e radhës, pasi në prill të vitit të kaluar hyri në fuqi ligji i ri i delokalizimit në Itali, i miratuar nga qeveria italiane në dhjetor 2016, që forcoi masat ndaj fenomenit ‘dumping’ në sektorin e call center, që kanë sjellë krizë në punësim dhe një rënie të vazhdueshme të marzhit të fitimit në Itali, ku një pjesë e madhe e vendeve të punës është transferuar në Shqipëri për shkak të avantazhit të kostos së fuqisë punëtore dhe njohjes së gjuhës italiane. Ligji vendosi sanksione deri në 150 mijë euro për shkelje si mosdeklarimi i origjinës nga bëhet telefonata, mosruajtjen e të dhënave, mosnjoftimi i delokalizimit, mosdeklarimi i numrit të punonjësve, transferimin e punonjësve etj. Kjo bëri që shumë kompani italiane të frenoheshin për të sjellë punë te partnerët shqiptarë, duke vijuar vetë me kontratat ekzistuese dhe duke mos lidhur të reja.
Viti 2017 ka qenë i vështirë për këtë sektor. INSTAT ka raportuar në deklarimet për prodhimin e brendshëm bruto se aktiviteti i call center ka qenë në rënie. Kompanitë e vogla kanë filluar tashmë të mbyllen. “Monitor” ka identifikuar në regjistrin e subjekteve pasive të tatimeve më shumë se 30 call center që janë mbyllur në 2017-n.
Mbyllja e tyre ka vijuar dhe në ditët e para të 2018-s.
Në total, në sektor në Shqipëri ka rreth 800 kompani, me rreth 25 mijë të punësuar, sipas të dhënave zyrtare. Pas goditjes nga qeveria italiane, shumë kompani call center po diversifikojnë aktivitetin e tyre, duke u kthyer në ndërmjetës financiarë, çka do t’u japë mundësinë atyre të ndërmjetësojnë për investimin e parave në aktivitete me risk si veprimet me kurset e këmbimit apo të ashtuquajturat Binary option’ (Një opsion binar është një opsion financiar ku pagesa është ose një sasi e caktuar monetare ose asgjë).
Shumë kompani call center tashmë kanë parësor aktivitetin në Forex, ku operatorët marrin në telefon qytetarët italianë dhe të huaj të tjerë dhe përpiqen t’i bindin të investojnë në platforma online tregtimi apo në aktivitetet e kursit të këmbimit. Një pjesë e kompanive të vogla të mbyllura i kanë transferuar punonjësit në sipërmarrje të tilla. Subjektet që ofrojnë forex nuk janë të licencuara për këtë shërbim, me përjashtim të tre prej tyre që janë licencuar nga AMF, ndërsa mbi 50 të tilla e ushtrojnë këtë aktivitet ilegalisht, sipas operatorëve të tregut. /Monitor