Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës së Prishtinës, e cila ka dënuar me burg deputetët Albin Kurti, Faton Topalli, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj- Bujupi.
Në një postim të shkurtër në profilin e tij në “Facebook”, Ahmeti ka thënë se vendimi ndaj deputetëve është i padrejtë.
“Edhe pse me kusht, vendimi për shpalljen fajtor dhe dënimet e sotme për Albinin, Donikën, Albulenën dhe Fatonin është ndër vendimet më të padrejta të historikut të shkurtë të Gjyqësorit të shtetit tonë. Duhet të kërkojmë lirimin e plotë të të gjithë deputetëve që mbrojtën sovranitetin e shtetit tonë”, thuhet në postimin e Ahmetit.
Në lidhje me dënimin e deputetëve ka reaguar edhe ish- kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri.
Ndryshe, Gjykata e Prishtinës shpalli sot fajtorë dhe i dënoi me burgim me kusht katër deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje./kallxo.com/


















