Vitin e kaluar, Kosova kishte mundësi për një investim serioz prej disa qindra miliona dollarësh nga agjencia federale amerikane Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), por degradimi i një indikatori për kontrollin e korrupsionit kishte ndikuar që Kosovës t’i ofrohet vetëm një program më i vogël.
Edhe pse ky program në fund arriti të gjeneronte 50 milionë dollarë, opinioni publik u dëshpërua, për shkak se programi i madh Compact u bë i paarritshëm.
Disa orë më herët, MCC ka botuar indikatorët për vitin 2018, dhe Kosova ka arritur progres rekord në perceptimin e luftimit të korrupsionit.
Sukses është arritur edhe në shumicën e indikatorëve të tjerë, duke shënuar rritje pozitive në indikatorë si sundimi i ligjit, liria e informimit, çështjet ekonomike, ruajtja e resurseve, e shumë të tjera.
Koordinatori Nacional i MCC, Petrit Selimi, u tregua i kujdesshëm, kur u pyet nga Gazeta Express për mundësinë e kthimit të investimeve qindra milionëshe.
Ai tha se progresi në indikatorë është gjithsesi lajm shumë i mirë për Kosovën.
“Këta indikatorë nuk maten nga Qeveria e Kosoves, dhe nuk janë të anshëm apo subjektivë. Këta indikatorë maten nga agjenci të ndryshme të OKB’së, dhe nga organizata si Freedom House apo Transparency International”, ka thënë Selimi për Express.
“Suksesi në përmirësim të këtyre indikatoreve tregon se dedikimi i gjithë shoqërisë kosovare dhe i insititucioneve për reforma është i thellë dhe serioz”, ka theksuar ai.
I pyetur se a do të thotë se tani Kompakti shumëmilionësh është i mundshëm, Selimi është përgjigjur: “Ne sapo morëm një program Threshold, të dytin më të madh në historinë e MCC’së, dhe une sinqerisht besoj se Bordi i MCC’së, që udhehiqet nga Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, do të vlerësojë suksesin tonë në zbatim të Thresholdit, para se të marrë vendimin për Kompakt. Megjithatë, tani indikatorët ofrojnë mundësinë e një oferte të tillë”. /Express/


















