Gjenerali serb i krimeve në Kosovë u ligjëroi kadetëve për “heroizmin e ushtrisë serbe kundër NATO-s”

E publikuar: 27/10/2017 15:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjenerali famëmadh serb nga lufta në Kosovë, siç e cilësojnë mediat e Beogradit, Vlladimir Llazareviq, ka mbajtur dje ligjëratën e parë para kadetëve të Akademisë Ushtarake në Beograd. Temë e ligjëratës së tij titullohej: “Heroizmi dhe burrëria e ushtarëve serbë në mbrojtje nga agresioni i NATO-s dhe në zbatimin e operacioneve kundërterroriste në Kosovë e Metohi më 1998-1999”, transmeton Koha.net.

“Merre si ta marrësh, ishte profesionale dhe për mua sentimentale”, citohet të ketë deklaruar pas ligjërimit gjenerali serb i dënuar nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për krimet serbe të luftës në Kosovës.

Bëhet e ditur se ligjëratën e gjeneralit serb, komandantit të Korpusit të Prishtinës gjatë fundshekullit të përgjakshëm në Kosovë, Vlladimir Llazareviq, u ndoq edhe nga shoku i tij i luftës, aktualisht shef i Shtatmadhorisë së US, gjenerali Lubisha Dikoviq, si dhe eprorët e tjerë më përgjegjës të Ushtrisë së Serbisë, transmeton Koha.net raportimin e “Novostit”.

Ai para Akademisë u prit nga Toga e Nderit me nderime të larta dhe flamuj. Raportohet se gazetarët nuk u lejuan të merrnin pjesë në ligjëratë. Atyre u tha “Unë e kam përmbushur detyrën time dhe e kam zemrën plot”.

Llazareviq qe dënuar në Hagë për krime lufte në Kosovë 15 vjet, por ka mbajtur vetëm 6 prej tyre.