Agjencia Kundër Korrupsionit pret të marrë kompetenca shtesë me ndryshimin e strategjisë kombëtare Kundër Korrupsionit.
Tashmë janë marrë disa iniciativa për ndryshimet ligjore që prekin konkretisht bazën legjislative të Agjencisë, raporton KTV.
Kjo kornizë nuk pritet të hyjë në planin legjislativ këtë vit, pasi paraprakisht pritet t’i nënshtrohet një debati publik e institucional.
Blerim Kelmendi, nga Agjencia Kundër Korrupsionit, thotë se mandati aktual i Agjencisë kishte qasje që pamundësonte punën dhe misionin e saj.
Andaj ai thotë se në përputhje me analizat për funksionalitetin e Agjencisë është paraparë shtimi i kompetencave në aspektin e hetimeve të rasteve të korrupsionit dhe luftimit të tij apo rritja e kompetencave në aspektin e parandalimit dhe trajtimeve të rasteve të deklarimit të pasurisë dhe konfliktit të interesit.
Por, kjo ka mbetur të shqyrtohet në momentin kur ligjet t’i drejtohen Kuvendit.
Problematike për Kosovën mbetet verifikimi i pasurisë se zyrtarëve publikë.
Agjencia është e gatshme dhe thotë se pret që përmes legjislacionit të ri t’i jepet
mundësia e hetimit dhe verifikimit të pasurisë dhe mënyrës se si u rrit ajo nga deklarimi në deklarim.
Agjencia Kundër Korrupsionit u themelua për të iniciuar dhe zhvilluar procedurat e zbulimit dhe hetimit paraprak për korrupsion.
Por shpeshherë zyrtarët e saj janë ankuar se kallëzimet penale të tyre janë hedhur poshtë nga prokuroritë e Kosovës, e po ashtu as rekomandimet e dhëna nuk janë marrë për bazë nga institucionet, OSHP-ja dhe Gjykatat e Kosovës.