Jemi të vetëdijshëm për kontributin e dhënë në mbështetje të proceseve pozitive në shtetndërtimin e vendit tonë nga ana e Qeverisë Gjermane dhe këtë bashkëpunim dëshirojmë ta avancojmë edhe më shumë përmes partneritetit me Fondacionin Friedrich Ebert Stiftung, shkruan infosot.
Përvojat e Gjermanisë në proceset integruese, në stabilitet social, ambientalizëm, edukim, në mbrojtjen e të drejtave të njeriut përmes demokratizimit të shoqërisë edhe shumë fusha të tjera janë mu ato që i duhen Kosovës dhe ardhmërisë së saj. Prandaj ky memorandum i bashkëpunimit do të jetë edhe një obligim shtesë që me një dialog dhe partneritet konstruktiv të arrijmë implementimin e këtyre objektivave në një dinamik kohore sa më të shpejtë, theksoi kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës z. Safet Gërxhaliu.
Z.Frank Hentke shprehu zotimin e tij në emër të këtij Fondacioni reputativ që do të bëjë ç’mos në avancimin e partneritetit me akteret vendor me të vetmin qëllim që të krijohet një qëndrueshmëri ekonomike e bazuar në sundim të rendit dhe ligjit, të drejtave të njeriut, mbrojtjen e interesave të grave në punë, rol më aktiv i Këshillit Ekonomik Social dhe gjithnjë një qasje të veçant edukimit në forma më të avancuara e në veçanti atij dual dhe profesional që është model i dëshmuar për të plotësuar nevojat e tregut të punës në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.
Znj. Besa Luzha theksoi për rëndësin e këtij bashkëpunimi duke theksuar se dëshirojmë të bartim përvojat evropiane në këto fusha e në veçanti zbatimin e strategjisë evropiane SBA ku zhvillimit ekonomik i shtohet edhe një shtyllë efektive që ka të bëjë me rolin e gruas në biznes dhe mbrojtjen e interesave të saj si dëshmi që edhe ato dëshirojnë dhe mund të jenë pjesë konstruktive e ndertimit të një shoqërie demokratike në frymë evropiane.