Zgjedhjeve lokale i shtohen edhe 18 mijë votues të rinj

E publikuar: 28/09/2017 11:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen me 22 tetor, do ti shtohen edhe mbi 18 mijë votues të rinjë që kanë arritur moshën 18 vjeçare, duke iu bashkuar listës prej 1 milion e 890 mijë e 952 personave me të drejtë vote.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, në një përgjigje për Indeksonline ka thënë se janë mbi 14 mijë votues të rinjë dhe 3mijë e 835 që nuk kanë qenë në Listën Përfundimtare të Votuesve në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 2017.

“Në zgjedhjet lokale do të jenë edhe 14 mijë 176 votues të rinj që pas Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës 2017 kanë arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç dhe që do të votojnë për herë të parë në Zgjedhjet Lokale më 22 tetor 2017. Ndërsa 3,835 votues që nuk kanë qenë në Listën Përfundimtare të Votuesve në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 2017, e që mund të konsiderohen si votues të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjesh ose votues që janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës 2017”, ka thënë Elezi.

Sipas tij duhet të kihet parasysh fakti se Zgjedhjet Lokale të tetorit mbahen në një kohë fare të afërt me ato parlamentare që u mbajtën në qershor, prandaj edhe përmirësimi i Listës Votuese për zgjedhjet e 11 qershorit ndikon domosdoshmërisht në cilësinë e Listës Votuese për Zgjedhjet Lokale.

Ndërkaq numri i Qendrave të Votimit është 899, ndërkaq numri i Vendvotimeve është 2 mijë e 505. /Indeksonline/