Lista Serbe me direktiva nga Beogradi, në krye të MB -së

E publikuar: 07/09/2017 09:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Rahovecit, Visar Korenica ka reaguar pas lajmit se Ministria e Bujqësisë do të jetë nën udhëheqjen e Listës serbe.

Korenica thekson se janë shqetësuese informacionet se në qeverinë e ardhshme të Kosovës, Lista Serbe me direktiva nga Beogradi, do të udhëheqë me ministrinë më të rëndësishme, ministrinë më jetike për zhvillimin ekonomik, Ministrinë e Bujqësisë.

Lexoni të plotë postimin e Korenicës në Facebook:

“Gëzimit tonë për pranimin e rrushit nga bodrumet, si duket shpejt i erdhi fundi.

Me shqetësim të madh kam marrë informacionet e fundit se në qeverinë e ardhshme të Kosovës, Lista Serbe me direktiva nga Beogradi, do të udhëheqë me ministrinë më të rëndësishme, ministrinë më jetike për zhvillimin ekonomik, Ministrinë e Bujqësisë.

Çka do të ndodhë me subvencionet?

Çka do të ndodhë me mjetet bujqësore?

Çka do të ndodh me grantet?

Tash fjalën e fundit do ta kenë serbët që kanë direktiva nga Beogradi zyrtar dhe kjo prek direkt kryeqytetin e bujqësisë, Rahovecin, pasi punëtorët më të mëdhenj në Kosovë bukën e gojës e sigurojnë nga bujqësia.

Përfaqësuesit e PAN-it dhe AKR-së në komunën e Rahovecit duhet të japin menjëherë përgjegjësi për këtë vendim nga liderët e partive të tyre, i cili prek direkt interesat e qytetarëve të komunës së Rahovecit. Ashtu siç kanë ditur të kërkojnë vota, tash duhet të japin përgjegjësi ndaj qytetarëve.

Të rinjtë e Rahovecit po ikin masovikisht në forma të ndryshme jashtë vendit edhe pse punësimin e kanë në shtëpinë e tyre, dyert e të cilave tash po mbyllen me inkuadrimin e Listës Serbe. Dikush duhet të japë përgjegjësi.

Deri sa të ndodhë kjo, nuk do të heshtim së kërkuari reforma për bujqësinë, hapjen e tregjeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës nga ky sektor jetik për vendin, sepse ne jemi ‘zot’ shtëpie në konakun tonë dhe jo serbët me direktiva nga Beogradi”.