Komunat e rajonit jugor të Kosovës në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kanë arkëtuar më pak të hyra nga tatimi në pronë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Me gjithë faktin që Ligji për falje borxhesh ka qenë në fuqi deri para pak ditësh, një gjë e tillë nuk i ka ndihmuar komunat e kësaj ane që të arrinin nivelin e arkëtimit të tatimit në pronë sikur në gjashtëmujorin e vitit 2016, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në raportin gjashtëmujor financiar të Ministrisë së Financave figuron se komunat Suharekë dhe Malishevë kanë rënie më të madhe të përqindjes së arkëtimit të tatimit në pronë në krahasim me vitin e kaluar, të ndjekura nga komunat e Dragashit, Rahovecit, Mamushës dhe Prizrenit.
Në tabelën për arkëtimin e të hyrave të tatimit në pronë, shkruan se Komuna e Suharekës në gjashtëmujorin e vitit 2017 ka arkëtuar 0.23 milionë euro, e Malishevës 0.09 milionë euro, e Dragashit 0.07 milionë, e Rahovecit 0.16 milionë euro, e Mamushës 0.01 milionë euro, ndërkaq Komuna e Prizrenit në gjashtëmujorin e vitit 2017 ka arkëtuar 0.96 milionë euro.