Komuna për pronat e dhëna me qira për 2016 kishte planifikuar që të realizojë 1,350,000€, ndërsa kishte arritur të inkasojë 501,328€ apo 37%.
Madje Komuna e Prizrenit kishte lëshuar tetë lokale me qira me vlerë prej 1 euro në muaj për disa parti politike.
“Në vitin 2016 ishin bërë kontrata për shfrytëzimin e pronës komunale me çmim prej 1€ në muaj për 8 lokale disa partive politike, duke mos organizuar ankande publike siç kërkohet me Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme komunale. Këto lokale ishin dhënë duke u bazuar në vendimin e asamblesë komunale që ishte nxjerrë në vitin 2005”, thuhet në të gjeturat e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Po ashtu, sipas Auditimit, edhe 8 lokale tjera dhe një objekt pronë e komunës nuk ishte organizuar ankand publik nga komuna, përderisa ato shfrytëzohen nga disa organizata joqeveritare dhe parti politike pa kontrata.
“Në dy raste qiramarrësit e shfrytëzojnë pronën komunale për tregje pa kontratë valide sepse kontrata ju kishte skaduar qysh në vitin 2013, dhe këta shfrytëzues vazhdojnë të ngarkohen me qira vetëm me një shkresë të Drejtorisë së Shërbimeve Publike të datës 10.11.2014. Këta obligues i kanë borxh komunës shumën 285,834€”, precizon raporti.
Më tutje Auditori thotë se në një rast komuna ka kontratë që nga viti 2009 me një operator për shfrytëzimin e tregut të gjelbër me qira mujore prej 180€ në muaj.
“Ne kemi vërejtur se operatori ekonomik nuk ka kryer obligimet sipas kontratës dhe nuk ka paguar asnjëherë obligimin ndaj komunës. Borxhi total kishte arritur në 14,580€”, thuhet më tej aty.
Më tutje, për rastet e përmendura, Auditori thotë se komuna nuk kishte organizuar ankande publike edhe pse Ligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme komunale kishte hyrë në fuqi në vitin 2012.
Sipas të dhënave në raport, në dy raste komuna me kontratë ka dhënë në shfrytëzim lokalet afariste, mirëpo qiramarrësit nuk i kryejnë obligimet sipas kontratës dhe borxhi i tyre arrin 3,534€.
Nga kjo praktikë Auditori nxjerr rrezikun se “dhënia e pronës komunale me qira pa organizuar ankand publik paraqet rrezik të zgjedhjes së gabuar duke e kufizuar ofertën e tregut dhe dëmton parimin e konkurrencës së lirë dhe trajtimit të barabartë për të gjithë të interesuarit”.
“Shfrytëzimi i hapësirave publike pa kontrata valide mes komunës dhe shfrytëzuesve të pronës komunale, rrit rrezikun që inkasimi i detyrimeve të mbetura të vijë në pikëpyetje apo edhe të mos inkasohen fare”, thuhet më tej aty.
“Kjo mund t’i shkaktojë komunës humbje të konsiderueshme financiare”, vazhdon raporti.
Zyra Kombëtare e Auditimit i ka rekomanduar kryetarit të komunës që të sigurojë organizimin e ankandeve publike në rastet e dhënies me qira të pronave komunale në mënyrë që të ketë një proces të hapur dhe transparent, si dhe të ushtrojë monitorim të vazhdueshëm tek shfrytëzimi i hapësirave publike në mënyrë që të mos shfrytëzohen pronat komunale pa kryer paraprakisht obligimet sipas kontratave të lidhura.
Po ashtu, rekomandohet që të vendosen edhe mekanizmat që pronat të mos shfrytëzohen pa pasur paraprakisht kontratë valide, të nënshkruar me komunën. /Insajderi.com/