Vetëvendosje, historikisht, e ka quajtur Pacollin spiun rus dhe pro serb.
Lideri i AKR’së, Behgjet Pacolli ka thënë se Kosova do të bëhet Zvicra e Ballkanit kur PDK dhe Kadri Veseli dalin në Opozitë.
Këtë deklaratë Pacolli e ka thënë pas premtimeve të Kryetarit të PDK’së se Shteti i Kosovës do të ketë një fillim të ri derisa Kosova do të bëhet Zvicra e Ballkanit.
“Z. Kadri Veseli paska thënë që Kosova do të bëhet “Zvicra e Ballkanit”. Perfekt, e besueshme, PO, do te bëhet por ME NE, sapo të dalni ju në OPOZITË”, ka shkruar Pacolli.
Këto reagime të Pacollit vijnë në kohën kur është duke biseduar me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila dikur e quante spiun rus e pro serb.
Pacolli për një mandat kishte qeverisur me PDK’në, duke qenë Zëvendës i Hashim Thaçit. Kishte mbajtur pozitën e Zëvendëskryeministrit dhe ishte angazhuar për njohje të reja për Kosovën.
Behgjet Pacolli është aktualisht lideri i AKR’së e cila është në biseda për koalicione parazgjedhore. Një pjesë e strukturave të saj, përfshirë Agim Bahtirin, përkrahin koalicionin me VV’në, kurse një pjesë tjetër me AAK’në.
Edhe LDK e ka lënë të hapur mundësinë e një koalicioni parazgjedhor me AKR’në.
Zgjedhjet nacionale mbahen me 11 qershor.