Qeveria e Serbisë nuk ka mundësi që të anulojë asnjë vendim të qeverisë së Kosovës dhe deklaratat e tilla shërbejnë vetëm për nevojat e brendshme të udhëheqësve shtetërorë në Serbi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi.
Deklarimet e Kelmendit pasuan qëndrimin e kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, javën e kaluar, sipas të cilit qeveria e tij ka marrë “vendim për anulimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës me të cilin gjithë pronën e paluajtshme të ish-RSFJ-së, ish-Federatës Jugosllave, Serbisë dhe të Krahinës Autonome të Kosovës e kalon në pronësi të saj”.
Vuçiq tha se “ka vepruar njëjtë si edhe në rastin e kombinatit “Trepça”, në nëntor të vitit të kaluar kur, sipas tij, “ka anuluar” një vendim të Kuvendit të Kosovës që ka miratuar Ligjin për Kombinatin.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për pronat e paluajtshme, që nxiti reagimin e Serbisë, u tha se ‘bazohej në ligjet dhe në Kushtetutën e Kosovës”.
“Ne jemi bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në Planin e Ahtisarit dhe ato vendime të Qeverisë së Serbisë janë inekzistente dhe jo valide për tërë territorin e Kosovës. Ato, ai [kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiq] mund t’i zbatojë vetëm në territorin e Republikës së Serbisë”, ka thënë Kelmendi për Radion Evropa e Lirë.
Ligji ndërkombëtar, thotë për Radion Evropa e Lirë, Enver Hasani, ish kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, nuk i jep mundësi Qeverisë së Serbisë për të anuluar vendimet e Qeverisë së Kosovës.
Ai thotë se zyrtarë të Serbisë e kanë interpretuar gabimisht ligjin ndërkombëtar, pasi sipas tij, ditën e shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt 2008, e gjithë pasuria e patundshme i takon shtetit që krijohet.
“Ajo nuk mund të bëhet për dy arsye: arsyet kushtuese dhe ligjit ndërkombëtar. Arsyet kushtetuese janë se Serbia nuk ka asnjë juridiksion ndaj Kosovës, pasi Kosova është shtet i pavarur. Kurse arsyet e ligjit ndërkombëtar, që Serbia dhe juristët e tyre i dinë, që në momentin kur një shtet fiton pavarësinë, e që është rasti i Kosovës, ditën e shpalljes se pavarësisë, krejt pasuria e patundshmëria e shtetit pararendës i takon shtetit që krijohet”.
Hasani, deklaratat e zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë, ndërkaq i konsideron ‘marketing për qëllime politike të brendshme’.
Qeveria e Kosovës, javën e kaluar ka vendosur që të gjithë pronën e patundshme të regjistruar në emër të RSFJ-së, Republikës së Jugosllavisë, Serbisë dhe Krahinës Autonome të Kosovës, ta kalojë në pronësi të Republikës së Kosovës.
Edhe sipas planit të Ahtisarit “prona e luajtshme dhe paluajtshme e Republikës Federative të Jugosllavisë apo e Republikës së Serbisë, e cila ndodhet brenda territorit të Kosovës në momentin e Marrëveshjes, do t’i kalohet në pronësi Kosovës”.
Zëvendëskryeministri i Kosovës Ramiz Kelmendi, thotë se sipërfaqja më e madhe e regjistruar në emër të Republikës Federale të Jugosllavisë, kanë qenë pronat e Ushtrisë së Jugosllavisë.
“Të gjitha pronat që kanë të bëjnë më Armatën e Jugosllavisë, ajo ka qenë një ndër pronarët më të mëdhenj të numrit të objekteve dhe hapësirave në territorin e Kosovës, të gjitha institucionet shtetërore federative të asaj kohe . Pastaj, të gjitha institucionet republikane të Republikës së Serbisë dhe Krahinës Autonome të Kosovës. Janë rreth 85 titullarë që kanë më shumë se një pronë”.
Pak vite më parë, autoritetet serbe patën deklaruar se pronat e shtetit të Serbisë në Kosovë përfshijnë një numër të madh edhe të ndërmarrjeve publike, por edhe pasuri tjetër tokësore, përfshirë edhe Brezovicën.
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërkaq ka deklaruar se “që nga fillimi i bisedimeve në Bruksel ka qenë e qartë se Prishtina do ta ndërmarrë një hap të tillë”.
Ai tha se përfaqësuesit e Prishtinës, gjithashtu, kanë refuzuar çdo herë të flasin për pronat në kuadër të dialogut.
Por, ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se çështja e pronave në territorin e Kosovës “nuk mund të jetë pjesë e bisedimeve që zhvillohen në Bruksel ndërmjet Kosovës e Serbisë” dhe se për to vendos “vetë Kosova”.