Gjykata Komerciale e Kosovës, në shkallën e dytë, e ka refuzuar ankesën e Komunës së Prishtinës dhe e ka lënë në fuqi vendimin që e obligon atë t’ia kthejë kompanisë “Kosovatex” SH.P.K. mbi 1.29 milionë euro, të paguara për taksën administrative të lejes ndërtimore, raporton Infosot.
Sipas aktgjykimit të datës 13 gusht 2026, Komuna e Prishtinës duhet t’ia kthejë kompanisë shumën prej 1,290,157.87 eurosh, në emër të mjeteve të pranuara pa bazë juridike, si dhe të paguajë kamatë ligjore nga 30 korriku 2014, kur është paraqitur padia, deri në pagesën përfundimtare. Komuna është obliguar gjithashtu t’i mbulojë kompanisë 2,835 euro shpenzime të procedurës kontestimore.
Kontesti lidhet me pagesën që “Kosovatex” e kishte bërë për lejen ndërtimore të një objekti afarist dhe administrativ në Prishtinë. Kompania e kishte paguar taksën administrative sipas aktvendimit të Komunës së Prishtinës të 26 shkurtit 2009, por më vonë Komuna kishte urdhëruar ndërprerjen e punimeve, me arsyetimin se nuk ishte siguruar leja përkatëse e ndërtimit.
Sipas arsyetimit të gjykatës, Komuna kishte lëshuar lejen ndërtimore dhe kishte pranuar pagesën përkatëse, por më pas ua kishte pamundësuar realizimin e projektit kompanisë, duke urdhëruar ndërprerjen e punimeve. Gjykata vlerësoi se, në këto rrethana, kishte rënë baza juridike për mbajtjen e mjeteve të paguara.
“Meqenëse leja për të cilën i padituri ka caktuar kompensimin nuk është vazhduar dhe nga vetë i padituri është konstatuar se punimet e filluara nga paditësi duhet të ndërpriten menjëherë, rezulton se në rastin konkret ka rënë baza juridike për mbajtjen e mjeteve nga i padituri”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit.
Gjykata e shkallës së dytë e pranoi vlerësimin juridik të shkallës së parë, duke konstatuar se kompania kishte të drejtë të kërkonte kthimin e mjeteve në bazë të dispozitave për pasurimin e pabazë. Sipas saj, Komuna nuk kishte paraqitur argumente dhe prova që do ta arsyetonin ndryshimin e vendimit të shkallës së parë.
Në vendim trajtohet edhe pretendimi i Komunës se kërkesa ishte parashkruar. Gjykata e refuzoi këtë argument, duke vlerësuar se zbatohej afati dhjetëvjeçar i parashkrimit dhe se padia ishte paraqitur më 30 korrik 2014, pa kaluar dhjetë vjet nga pagesat e kryera nga kompania në vitet 2009, 2010 dhe 2011.
Komuna e Prishtinës kishte kërkuar që aktgjykimi i shkallës së parë të prishej dhe çështja të kthehej në rigjykim, ose që kërkesëpadia e kompanisë të refuzohej. Megjithatë, Gjykata Komerciale e shkallës së dytë e vlerësoi ankesën si të pabazuar dhe e vërtetoi aktgjykimin e shkallës së parë të datës 7 gusht 2024.
Aktgjykimi i shkallës së dytë është marrë nga kolegji i Gjykatës Komerciale të Kosovës, i përbërë nga gjyqtarët Ramush Bardiqi, kryetar i kolegjit, si dhe Vlora Pacolli dhe Dren Rogova, anëtarë të kolegjit.
Kosovatex K Prishtine (Dokument)


































