Shkup – Ambasada e SHBA në Shkup paralajmëroi qytetarët e SHBA në Maqedoni që në ditën e zgjedhjeve parlamentare më 11 dhjetor të shmangin tubimet masive, sepse janë të mundshme trazirat.
Në ambasadën e SHBA-ve, siç raportojnë mediat, thonë se kjo është procedurë standarde.
“Ky është një mesazh standard që publikohet në mbarë botën dhe është detyrim i Ambasadës për të siguruar që qytetarët amerikanë janë të vetëdijshëm se do të zhvillohen zgjedhjet e 11 dhjetorit dhe për këtë arsye mund të ketë tubime masive që bartin rrezikun e dhunës”, deklaruan zyrtartët e ambasadës për portalin maqedon “Sakam se kazam”.
Të dielën në Maqedoni do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat, siç pritet, do të kontribuojnë në zgjidhjen e krizës politike, e cila filloi në pranverën e vitit 2014, kur opozita akuzoi qeverinë se vodhi zgjedhjet.
Në zgjedhje marrin pjesë pesë koalicione, duke përfshirë edhe dy që udhëhiqen nga VMRO DPMNE dhe Lidhja Social Demokratike e Maqedonisë (SDSM), si dhe gjashtë parti që garojnë në mënyrë të pavarur.
Fushata zgjedhore, e cila filloi më 21 nëntor, do të zgjasë deri të premten, më 9 dhjetor, në mesnatë, kur fillon e heshtja parazgjedhore. Në gjashtë njësi zgjedhore në Maqedoni do të zgjedhen 120 deputetë, ndërsa njësia e shtatë, për diasporën, siguron deri në tre deputetë.
Në listën e votuesve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë 1.784.416 qytetarë, prej të cilëve 1.531.368 jetojnë në Maqedoni, ndërsa 230,122 në një listë të veçantë, sepse ata konsiderohen me qëndrim të përkohësisht jashtë vendit, por mund të zgjedhin se ku so të votojnë./Express/