Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në kryeqytet po mbahet Edicioni i III-të i Forumit Ekonomik Gjermano-Kosovar, i cili bashkon bankat, kompanitë, odat ekonomike, institucionet dhe sipërmarrësit nga të dyja vendet, me synimin për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe për të krijuar mundësi të reja investimi.
Përmes një postimi, Kurti ka theksuar se forumi përbën një mundësi të rëndësishme për takime mes partnerëve ekzistues dhe të rinj, diskutime profesionale, shkëmbime përvojash dhe vizita konkrete në biznese.
Sipas tij, fokusi i këtij edicioni është përqendruar në tri fusha kryesore: transformimin digjital dhe inteligjencën artificiale, energjinë dhe infrastrukturën e qëndrueshme, si dhe avancimin e prodhimit dhe industrisë.
Kurti ka vlerësuar se këto fusha mund të shërbejnë si bazë për bashkëpunimin ndërmjet kapitalit gjerman dhe talentit kosovar, me qëllim krijimin e vlerave afatgjata.
Ai gjithashtu ka theksuar rëndësinë e besimit në ndërtimin e partneriteteve ekonomike, duke nënvizuar rolin e mërgatës kosovare në lehtësimin e bashkëpunimit dhe tërheqjen e investimeve të reja në Kosovë.
Forumi Ekonomik Gjermano-Kosovar synon të krijojë ura bashkëpunimi ndërmjet bizneseve dhe institucioneve, duke nxitur investimet, zhvillimin e industrisë dhe krijimin e mundësive të reja për ekonominë e vendit.
































