Forca e Sigurisë së Kosovës në bashkëpunim me kompaninë SimSpace, ka organizuar ushtrimin ndërinstitucional “Digital Siege 2026”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve publike, akademike dhe bankare të Republikës së Kosovës.
Ushtrimi u realizua nga Njësia e Sinjaleve dhe Kibernetikës, përmes Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike të FSK-së, me qëllim të avancimit të kapaciteteve profesionale dhe rritjes së gatishmërisë për reagim ndaj incidenteve kibernetike.
Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë ushtrimit, pjesëmarrësit patën mundësinë të testojnë aftësitë e tyre për identifikimin, trajtimin dhe përballimin e incidenteve kibernetike. Krahas pjesës teorike, u zhvilluan edhe skenarë të ndryshëm praktikë, të cilët synuan të forcojnë njohuritë dhe aftësitë për reagim efektiv ndaj kërcënimeve në hapësirën kibernetike.
































