Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar kanosjen ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj, themelues i Vox Kosova, duke shprehur solidaritet të plotë me të dhe shqetësim për rrezikimin e sigurisë së tij fizike.
Në reagimin e publikuar, AGK-ja ka bërë të ditur se kanosja ka ndodhur mbrëmjen e kaluar, ndërsa për rastin është arrestuar ish-deputeti Gani Geci.
AGK-ja e ka dënuar ashpër këtë akt, duke theksuar se shprehja e mendimit të lirë për çështje me interes publik dhe për figura publike, përfshirë deputetët, është e drejtë themelore në një shtet demokratik.
Asociacioni ka shprehur mirënjohje për reagimin e shpejtë të Policisë së Kosovës dhe përkushtimin e Prokurorisë për trajtimin e rastit me seriozitetin e nevojshëm.
Po ashtu, AGK-ja i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë fizike të Mehmetajt dhe familjes së tij.
Sipas AGK-së, ky rast pasqyron klimën e vështirë në të cilën ushtrohet gazetaria në Kosovë dhe nevojën urgjente për t’i dhënë fund intimidimit të punonjësve të medias.
Në reagim thuhet se akte të tilla përbëjnë goditje ndaj lirisë së medias dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar.































