Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se deputetët e kësaj partie do të shkojnë në sallën e Kuvendit për të votuar Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Hamza tha se PDK-ja e konsideron të pranueshëm emrin e Blerina Shiroka-Pulës për presidente, ndërsa bëri të ditur se partia e tij do ta propozojë Eliza Hoxhën si kundërkandidate.
“Për Partinë Demokratike të Kosovës, ne nga kjo konferencë do të shkojmë në sallën e Kuvendit, dhe presim me votu ligjin. Ligjin për Dhomat e Specializuara, dhe me përfundu këtë çështje”, tha Hamza.
Duke folur për zgjedhjen e presidentit, ai u shpreh se Shiroka-Pula është emër i pranueshëm për PDK-në.
“Edhe pse ne s’kemi pasur mundësinë me bisedu me zonjën Shiroka-Pula, po për Partinë Demokratike të Kosovës, është një emër i pranueshëm për presidentin”, deklaroi Hamza.
Ndërkaq, ai konfirmoi se PDK-ja do ta propozojë deputeten Eliza Hoxha si kundërkandidate.
“Me qëllim që të zhvillohen procedurat dhe të plotësohen kushtet, Partia Demokratike e Kosovës e propozon si kundërkandidate edhe zonjën Eliza Hoxha”, tha ai.
Hamza theksoi se PDK-ja do të jetë në sallën e Kuvendit dhe pret që edhe deputetët e partive të tjera politike të marrin pjesë në proces.
“Ne po shkojmë në Kuvend, në sallën e Kuvendit, po i presim deputetët e partive tjera politike. Koha është e shkurtër dhe ne jemi të interesuar me pas ligjin për Dhomat e Specializuara për peshën dhe rëndësinë që ka”, u shpreh Hamza.
Ai shtoi se PDK-ja e ka kërkuar vazhdimisht që kjo çështje të zgjidhet përmes një marrëveshjeje politike.
“E kemi thënë vazhdimisht, edhe pse është dashtë me qenë marrëveshje në tavolinë”, shtoi Hamza.



























