Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se qëndrimi i kësaj partie për miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në dy lexime është i pandryshuar dhe nuk është i ndërlidhur me asnjë pozitë politike apo institucionale.
Hamza ka thënë se çështja e presidentit duhet të trajtohet veçmas, duke kritikuar, sipas tij, mungesën e veprimeve konkrete për zgjedhjen e presidentit që nga 7 gushti.
“Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës ka qenë dhe vazhdon të jetë konsistent: aprovimi i ligjit për dhomat e specializuara në 2 lexime. Nuk janë çështje të ndërlidhura me asnjë pozitë politike apo institucionale. Ka qenë si duhet. Çështja e presidentit: një çështje e cila e përcjell Kosovën me një periudhë të gjatë kohore. Ju e dini që, që kur vendi i Kosovës, edhe në bazë të aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, është dashur që të jetë i konstituuar me datën 7 gusht. Kemi vonesa, mosrespektim të afateve kushtetuese për Kuvendin e Kosovës, për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, si rezultat i deklaratave e veprimeve që, pa marrëveshje për presidentin, nuk e konstituojmë Kuvendin. Asnjë veprim. Konkret, serioz, për një periudhë prej datës 7 gusht deri sot, deri orët e fundit për me i dhënë vendi presidentit”, tha ai.
Hamza ka folur edhe për deklaratën politike për luftën e UÇK-së, e cila është mbështetur nga deputetë të Kuvendit, duke theksuar se ajo nuk është çështje që i takon vetëm PDK-së.
“Deklarata politike: unë i jam mirënjohës, i falënderoj gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që kanë votuar pro deklaratës. Për të qartësuar: lufta e popullit të Kosovës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është luftë e cila është veç e PDK-së. Askund në deklaratë nuk shkruan për PDK-në. Unë konsideroj që nuk duhet që veç Partia Demokratike e Kosovës me fol për mbrojtjen e një lufte të drejtë të imponuar çlirimtare për liri dhe pavarësi. Duhet edhe partitë tjera politike, viktimat, dëshmorët, viktimat civile, invalidët e luftës, veteranët, populli i Kosovës, nuk i takon veç një subjekti politik, i takon të gjitha subjekteve politike”, tha ai.
Ai ka thënë se PDK-ja e ka sponsorizuar deklaratën në kuadër të përgjegjësisë së saj politike, duke mohuar se është bërë për përfitime politike.
“Dhe për këtë çështje, ne kemi konsideruar si parti politike që duhet të jemi në nivelin e përgjegjësisë tonë dhe kemi sponsorizuar një deklaratë të cilën e kanë mbështetur edhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për çka jemi mirënjohës, por nuk është deklaratë që PDK-ja e ka për ndonjëfarë përfitimi politik”, tha ai.
Hamza ka sqaruar edhe pasojat që, sipas tij, do të kishte mosmiratimi përfundimtar i ligjit.
“Nëse ligji nuk aprovohet në dy leximet nuk prodhon efekt juridik. Po që nëse nuk finalizohet ligji dhe vendi shkon në zgjedhje ai kthehet nga fillimi”, tha ai.



























