Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka bërë thirrje për bashkim të deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe ka kritikuar ndërkombëtarët, duke kërkuar drejtësi dhe zbulimin e krimeve.
Ai ka mbajtur fjalim para protestuesve në shesh, duke kërkuar drejtësi.
Në fjalimin e tij, Haradinaj iu drejtua 100 deputetëve, duke kërkuar nga ta bashkim dhe përgjegjësi.
“Unë nuk do të marr shumë kohë këtu. Dy gjëra i kam. E para, ju 100 deputetët që jeni atje, të 100-tit, secili me përgjegjësinë e vet dhe me peshën që ka kërkuar vetë me u ngarku, qoftë të votës, qoftë të premtimeve, ju thërrasim për bashkim! Bashkim! Bashkim!”, tha Haradinaj.
Ai më pas iu drejtua ndërkombëtarëve, duke thënë se besimi ndaj tyre ishte dhënë për shkak të mbështetjes që, sipas tij, i kishin dhënë luftës së UÇK-së.
“Ndërsa ndërkombëtarët, që ju besuam sepse i patëm bindur të na ndihmojnë në luftën e UÇK-së dhe bashkë të fitojmë. Ata u ndanë pa viktima sepse ne na kishin këtu. Ata morën mburrjen, ne morëm lirinë. Por tani ju themi: Na keni tradhtuar dhe na ktheni besimin! Kthenani besimin sepse do t’ju vijë keq juve dhe neve!”, deklaroi ai.
Haradinaj tha se kërkesa e tyre është për drejtësi dhe zbulim të krimeve, duke kundërshtuar, siç u shpreh ai, keqpërdorimin e rasteve.
“Prandaj nga këtu, nga këtu ju thërras! Ne kërkojmë vetëm drejtësi! Drejtësi dhe zbulim të krimeve patjetër, sepse shumë herë po mundohen ta keqpërdorin. Kosova ka ngritur institucione, ka njerëz profesionalisht që drejtësinë ta çojnë në vend. I falëm besimin sepse na patën besuar”, tha Haradinaj.
Ai kritikoi gjithashtu ndërkombëtarët për trajtimin e rasteve dhe tha se nuk pranon që viktimat e masakrave dhe fëmijët e vrarë të, siç tha ai, ofendohen.
“Prandaj, ndërkombëtarë nuk mund të mashtroni se janë raste individuale. Nuk pranojmë të ofendohen 400 të ekzekutuarve në masakra, nuk pranojmë të ofendohen fëmijët tanë, nuk pranojmë të ofendohet gjaku ynë!”, u shpreh ai.
Në fund të fjalimit, Haradinaj bëri thirrje për unitet rreth UÇK-së dhe iu drejtua ish-pjesëtarëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë.
“Rroftë UÇK-ja! Nga sot e tutje, të gjithë UÇK! Lavdi dhe shokëve atje në Hagë ju përshëndes! Nasimi, që ju jeni në Hagë e këta këtu, ose do t’ju sjellim juve këtu, ose do të vijmë atje! Rroftë UÇK-ja”, përfundoi Haradinaj.




























