Dy kompani nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dorëzuar oferta për projektimin dhe ndërtimin e sistemit të baterive për ruajtjen e energjisë në Kosovë.
Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila ka njoftuar se tashmë do të nisë procesi i vlerësimit të ofertave, me synim që ndërtimi të fillojë gjatë vitit të ardhshëm.
Sipas Rizvanollit, sistemi i baterive do të ketë një kapacitet prej 340 MWh dhe do të shtrihet në Istog dhe Ferizaj, transmeton IndeksOnline.
“Po i afrohemi realizimit të një prej investimeve më të mëdha në sektorin e energjisë në dekadat e fundit”, ka deklaruar Rizvanolli.
Projekti është pjesë e Programit Kompakt, në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, i cili bashkëfinancohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Millennium Challenge Corporation (MCC) dhe Qeveria e Kosovës.
Ministrja ka falënderuar partnerët amerikanë, MCC-në dhe ekipin e MCA-Kosovës për angazhimin në realizimin e projektit, duke e lidhur atë me forcimin e sigurisë energjetike të vendit.




























