Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, pas dështimit të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, ka akuzuar subjektet politike për thellimin e vakuumit institucional, duke thënë se veprimet e tyre janë në dëm të shtetit dhe qytetarëve, raporton Ekonomia Online.
Hamza tha se PDK-ja e ka bërë të qartë qëndrimin e saj politik dhe se ka kërkuar që të respektohet Kushtetuta, Rregullorja e Punës së Kuvendit dhe vendimi i Gjykatës Supreme.
“E dhamë pozicionin tonë politik si Parti Demokratike. E mbivendosëm datën 16 përtej rëndësisë së të gjitha zhvillimeve të tjera. E dhamë arsyen pse vendi duhet të ketë institucion dhe Kuvend të konstituuar. Ne ishim sot përputhshëm me obligimet tona si deputet. E kemi thënë qartë se qëndron që nuk është respektu dhe s’po respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, nuk po respektohet Rregullorja e punës së Kuvendit, nuk po respektohet vendimi i Gjykatës Supreme”, tha ai.
Hamza kritikoi veçmas Listën Serbe dhe Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se veprimet e tyre po e dëmtojnë perspektivën e vendit dhe qytetarët e Kosovës.
“Vendi vazhdon me pa, s’mungesë, vakuum institucional dhe unë jam i bindur që të gjitha këto veprime që janë duke i bë, janë duke i bë në dëm vendit. Kushdo qoftë. Qoftë Lista Srpska, qoftë ndonjë parti tjetër politike, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, janë tu i bë dëm vendit. Janë tu i, dëm tu perspektivën e vendit. Janë tu i dëmtu qytetarët e Republikës së Kosovës. Dhe mendoj që lojrat e tillë- të tilla, as nga Lëvizja Vetëvendosje as, Lista Serbe nuk janë në dobi dhe në interes të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës”, tha ai.
Kryetari i PDK-së tha se janë plotësuar kushtet ligjore që çështja të dërgohet edhe në organet e drejtësisë, përfshirë Gjykatën Kushtetuese.
“Të gjitha kushtet legale, ligjore janë të plotësuara që rasti të referohet edhe në organet e drejtësisë, kjo përfshin edhe Gjykatën Kushtetuese dhe jam i bindur që dihet përgjigja, dihet përgjigja, po Partia Demokratike e Kosovës nuk e përjashton edhe veprimet ligjore dhe kushtetuese dhe politike brenda rregullave ligjore e demokratike”, tha ai.



























