Komuna e Podujevës ka dhënë një tender për ndërtimin e një pjese plotësuese të Shkollës së Mesme Profesionale në Zonën Industriale, përmes procedurës së negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë. Ajo që bie në sy në këtë aktivitet të prokurimit është se tri ofertat e dorëzuara nga kompanitë pjesëmarrëse kanë qenë pothuajse të njëjta, me një diferencë prej vetëm disa dhjetëra eurosh mes tyre, raporton Infosot.
Sipas njoftimit zyrtar për dhënien e kontratës, të përgatitur më 2 shtator 2026, vlera e parashikuar nga Komuna e Podujevës për këtë projekt ka qenë 104,536.27 euro. Në procedurë kanë marrë pjesë tri kompani, ndërsa kontrata i është dhënë kompanisë EING COM SH.P.K., e cila ka ofruar 104,411.54 euro.
Dy ofertat e tjera kanë qenë po ashtu shumë pranë kësaj vlere. Loni SH.P.K. ka ofertuar me 104,449.27 euro, ndërsa U-Unique SH.P.K. me 104,460.20 euro.
Kjo do të thotë se mes ofertës fituese të EING COM SH.P.K. dhe ofertës së Loni SH.P.K. ka pasur një diferencë prej vetëm 37.73 eurosh, ndërsa diferenca mes ofertës fituese dhe asaj të U-Unique SH.P.K. ka qenë rreth 48.66 euro. Ndërkohë, të tri ofertat kanë qenë shumë afër edhe me vlerën e parashikuar nga Komuna.
Dokumenti zyrtar tregon se oferta e EING COM SH.P.K. prej 104,411.54 eurosh është shpallur oferta e përgjegjshme me çmimin më të ulët dhe mbi këtë bazë është dhënë kontrata.
Procedura e përdorur nga Komuna e Podujevës është “e negociuar pa publikimit të njoftimit për kontratë”. Në këtë lloj procedure, autoriteti kontraktues nuk zhvillon një procedurë të hapur ku mund të aplikojnë të gjithë operatorët ekonomikë, por negocion me operatorët e përzgjedhur në rrethana të përcaktuara nga Ligji për Prokurimin Publik.
Ligji për Prokurimin Publik nuk e lejon përdorimin e procedurës së negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë si një alternativë të zakonshme ndaj procedurës së hapur. Kjo procedurë mund të përdoret vetëm në rrethana të veçanta dhe kur plotësohen kushtet e përcaktuara me ligj.
Në këtë aktivitet të prokurimit, përveç përdorimit të procedurës së negociuar, vëmendje tërheq edhe afërsia e jashtëzakonshme e tri ofertave. Diferenca ndërmjet ofertës më të ulët dhe asaj më të lartë është më pak se 50 euro, ndërsa vlera e parashikuar e Komunës ishte 104,536.27 euro.
Sipas të dhënave të njoftimit, oferta fituese ishte vetëm 124.73 euro më e ulët se vlera e parashikuar e kontratës. Oferta e Loni SH.P.K. ishte 87 euro më e ulët se vlera e parashikuar, ndërsa oferta e U-Unique SH.P.K. ishte 76.07 euro më e ulët.
Kontrata me numër 615-26-6788-5-2-5/C1301 është dhënë më 2 shtator 2026, ndërsa nënshkrimi i saj ishte planifikuar për 4 shtator 2026. Në dokument thuhet se bëhet fjalë për “Ndërtimin e shkollës së mesme Profesionale në Zonën Industriale (pjesë plotësuese e projektit)”.
KK Podujeva negocim (Dokument)
Vendimi i Autoritetit K.K Podujeve (Dokument)































