Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është dënuar me 1 vit burgim me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend më 2018.
I akuzuari Sveçla nuk ishte prezent në Gjykatë në momentin e shpalljes së vendimit për burgim.
Aktgjykimi u shpall të martën nga gjykatësi i rastit, Sabit Sadikaj.
Gjykatësi Sadikaj tha se i akuzuari Sveçla dënohet me 1 vit burgim me kusht, në periudhë verifikuese për 1 vit.
“Dënim me burgim me kohëzgjatje prej 1 viti nëse nuk kryen vepra penale brenda afatit të kushtëzuar. Pala mund të parashtrojë ankesë brenda 30 ditëve”, deklaroi gjyqtari Sadikaj gjatë shpalljes së aktgjykimit.
Nga ana tjetër, prokurori Valdrin Krasniqi i kishte propozuar gjykatës një dënim prej dy vitesh burgim efektiv dhe gjobë monetare.
“Gjykatës i propozojmë që në rastin e matjes së dënimit, të pandehurit Xhelal Sveçla t’i shqiptohet dënim me burgim efektiv me kohëzgjatje prej dy vitesh dhe dënim me gjobë me shumën prej 3 mijë eurosh”, kishte propozuar ai.
Në anën tjetër, mbrojtësi i Sveçlës, avokati Laur Prenaj tha se meqenëse nuk kemi pranim fajësie, nuk deklarohen.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 2 shtator 2026, e shpalli Sveçlën fajtor për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Gjykata ka konstatuar se Sveçla kishte aktivizuar dhe hedhur bombolën e gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit, duke pamundësuar vazhdimin e seancës.
Në të njëjtin rast, Sveçla ishte akuzuar edhe për “Pengimin e personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”. Për këtë pikë, gjykata mori aktgjykim refuzues, pasi ndjekja penale kishte arritur parashkrimin.




























