Administrata Tatimore e Kosovës ka reaguara ndaj deklaratave të avokatit Florin Lata lidhur me regjistrimin e punëtorëve në sistemin EDI.
ATK vlerëson se është e rëndësishme që çdo interpretim publik lidhur me obligimet tatimore të mbështetet në përmbajtjen e plotë të formularit, udhëzuesit përkatës dhe bazës ligjore në fuqi, në mënyrë që tatimpaguesit të mos orientohen nga informacione të cilat mund të krijojnë perceptim të pasaktë apo të paplotë lidhur me detyrimet e tyre.
Në këtë drejtim, ATK sqaron se interpretimi i paraqitur në opinionin e Latës, sipas të cilit formulari kërkon në mënyrë të detyrueshme të gjitha të dhënat e paraqitura në të, nuk është i saktë.
Formulari bën qartë dallimin ndërmjet të dhënave të detyrueshme dhe të dhënave plotësuese, ku vetëm fushat e shënuara me simbolin “*” janë të detyrueshme për plotësim.
“Rrjedhimisht, të dhëna si numri i telefonit, adresa e emailit, kontrata dhe të dhëna të tjera të karakterit plotësues nuk janë të detyrueshme për deklarim. Ndërkaq, të dhënat e përcaktuara si të detyrueshme, përfshirë pozitën e punës, orarin, pagën dhe elementet e tjera të marrëdhënies së punës, kërkohen për qëllime të administrimit tatimor dhe përmbushjes së funksioneve ligjore të ATK-së”, thuhet në reagimin e ATK-së.
Kjo kërkesë mbështetet, ndër të tjera, në Nenin 43, paragrafin 5 të Ligjit Nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, i cili përcakton detyrimin e punëdhënësit për ta informuar ATK-në për lidhjen e kontratës së punës dhe përcakton se informimi bëhet në formën e përcaktuar nga ATK. Po ashtu, Neni 3, paragrafi 1, nënparagrafi 1.26.13 i të njëjtit Ligj, në përkufizimin e “Pasqyrës së informatave”, përfshin edhe çdo formular dhe pasqyrë tjetër për qëllime tatimore.
Sa i përket regjistrimit të punëtorëve ekzistues, ATK sqaron se kjo është pjesë e procesit të përditësimit dhe kompletimit të të dhënave në sistemin EDI, me qëllim të sigurimit të të dhënave të sakta dhe të plota për administrimin tatimor.
Për këtë arsye, ATK e konsideron të rëndësishme që ky sqarim të bëhet publik, me qëllim që tatimpaguesit të kenë informacion të qartë, të saktë dhe të plotë lidhur me atë se cilat të dhëna janë të obligueshme për deklarim dhe cilat kanë karakter plotësues.
Posrimi i plotë:
https://www.facebook.com/share/19WRok75BA/




























