Në prag të vendimit përfundimtar më 16 shtator ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, Organizata e Vetëranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka paralajmëruar organizime në mbështetje të tyre.
Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati në një intervistë për Ekonomia Online ka bërë të ditur se më 16 shtator pritet të mblidhen në Hagë qytetarë nga Kosova dhe diaspora, ndërsa detajet e aktiviteteve do të përcaktohen pas mbledhjes së kryesisë së OVL-UÇK-së e cila do të mbahet më 25 të këtij muaji.
Ai ka bërë të ditur se vetë do të udhëtojë drejt Hagës më 14 shtator.
“Unë e kam një mbledhje të kryesisë më datën 25 të këtij muaji, gusht, që i bie dita e martë. E kemi një mbledhje të kryesisë ku do të bisedojmë kryesia, çdo vendim do të merret bashkë me kryesi. Organizime nuk po mund të them çfarë do të ketë, do të ketë organizime se ne organizimet do t’i bëjmë për me i prit njerëzit tanë që janë padrejtësisht atje, Presidentin, Bacën Jakup edhe Kadrinë edhe Gjeneralin Rexhep Selimin, të katërt me i prit ashtu qysh na ka hije si komb shqiptar. Edhe besoj se organizime do të ketë gjithmonë, organizim, manifestim për pritjen e tyre edhe për ne është çlirimi i dytë, se ne veç çlirimin e parë e kemi bërë në vitin ’99 nga hordhitë paramilitare serbe edhe tash ky është çlirimi i dytë nga një padrejtësi e madhe që na ka ndodhur neve si shqiptarë mund të thëm edhe si Ushtri Çlirimtare e Kosovës, kështu që ne do t’i presim ashtu qysh na ka hije, fitimtarë”, ka thënë ai.
Gucati ka thënë se pret që në Hagë të mblidhen qytetarë nga Kosova dhe diaspora, duke përmendur organizime të mundshme me autobusë nga Kosova, Gjermania, Belgjika, Franca, Luksemburgu dhe vende të tjera.
“Është e vërtetë, unë kam bërë kërkesë që një muaj për me hy brenda në galeri apo në sallë, kam bërë kërkesë të hyjmë brenda unë edhe nënkryetari Fatmir Sopi edhe disa shokë të tjerë, po unë do të jem më datën 14 do të udhëtoj nga Kosova për në Hagë, më datën 15 do të jem në Holandë edhe me 16-tin ku do të marr pjesë. Edhe nëse nuk më lejohet me hy brenda, unë do të jem para dyerve të gjykatës ku do ta pres verdiktin e Gjykatës Speciale edhe shpresoj që bashkë me ta do të vijmë këtu te ne edhe të gjithë ata qytetarë që ka shumë njerëz që do të bashkangjiten atë ditë. Kemi zëra që do të vijnë edhe nga Kosova me autobusa, po edhe mërgata me autobusa, kemi telefonata të ndryshme që janë duke u organizuar shtetet përreth, Gjermani, Belgjikë edhe Francë e shumë vende atje, Luksemburg, që mërgata do të vijë atë ditë jo për protestë, po do të jenë të bashkangjitur te gjykata duke pritur gjithmonë verdiktin pozitiv për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Unë i përshëndes të gjithë qytetarët shqiptarë kudo që janë, të gjitha mediat, juve sidomos e të gjitha të tjerat media që keni qenë mbështetja jonë, keni qenë gjithmonë hap pas hapi me përcjelljen tuaj dhe me punën te kjo gjykatë e keni treguar realitetin gjithmonë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës edhe për krerët e UÇK-së”, ka shtuar Gucati.
Në deklaratën e tij, Gucati ka shprehur bindjen se verdikti do të jetë pozitiv për ish-krerët e UÇK-së dhe ka kundërshtuar akuzat ndaj tyre.
“Po, shumë e vërtetë që kanë mbetur edhe pak ditë nëse s’gaboj, që më 16 shtator në ora 10:00 me filluar seanca, në ora 9:00 tash mund mund gaboj me orë, që verdikti t’i jepet apo finalja të jetë në atë datë. Ne shpresojmë, besojmë fuqishëm në drejtësi që kjo gjykatë do ta tregojë veten një drejtësi të mirëfilltë e cila drejtësi do të jetë në anën tonë. Dhe të gjitha argumentet na çojnë që jemi në anën tonë. Edhe fitorja do të jetë e jona se nuk ka argument edhe asnjë argument nuk i lidh Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës me krime të luftës. Po sidomos asnjë argument nuk i lidh as krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prej presidentit e deri te gjenerali Rexhep Selimi, te krerët të cilët janë. Po edhe ata të dy që u dënuan padrejtësisht, Pjetri edhe Sali Mustafa janë dënu padrejtësisht. Kështu që unë dua të besoj që do të lirohen ata, domethënë që Bacë Jakup, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli, të gjithë ata, më falni shumë, në këtë proces të montuar, mund të them në këtë proces të cilit mundet me iu veshur çdo gjë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës se gjëja ne kemi bërë krime. Ushtria Çlirimtare e Kosovës s’ka bërë krime, krerët e saj janë të paçtë si loti dhe shpresoj se ata do të dalin dhe dua të besoj fuqishëm që ata do të dalin, të pafajshëm, ka deklaruar Gucati për Ekonomia Online.
Ai ka shprehur gjithashtu shqetësimin e tij për kohëzgjatjen e paraburgimit të ish-krerëve të UÇK-së dhe ka ngritur dyshime për natyrën e procesit gjyqësor.
“Ne e kemi thënë edhe më herët. Ne kemi përvojë të keqe nga gjykatat politike në ish-Jugosllavi edhe Serbi. Ne e dimë sa shqiptarë, me mijëra veta janë dënuar shqiptarë prej vitit 1945 e këtej, që në ish-Jugosllavi e kam fjalën, gjithmonë me gjykata politike. Edhe e kemi pasur frikën edhe te kjo gjykatë mos të jetë politike. Vetë fakti që këta u mbajtën që gjashtë vite në burg padrejtësisht, po sidomos mbas fjalës përfundimtare mbahen në burg që sa muaj apo bëhen një vit nëse s’gaboj, marrin burg ku do të ishte e rrugës ata të presin verdiktin te shtëpia dhe jo ta presin verdiktin brenda atyre grilave të Gjykatës Speciale apo atje në atë burgun e sigurisë së lartë. Kështu që unë shpresoj, duhet të them prapë se inshallah nuk është gjykatë politike, po është gjykatë që do drejtësinë dhe prova s’kanë pasur. Gjithmonë mbrojtja edhe njerëzit që kanë dëshmuar, edhe ndërkombëtarët që kanë dëshmuar aty i kanë hedhur poshtë të gjitha ato ato akuza edhe ato prova të montuara që i kanë pasur nga kjo gjykatë i kanë hedhur poshtë dhe kështu që në anën tonë është drejtësia”, ka thënë ai.



























