Borxhi publik i Shqipërisë u ul sivjet, për herë të parë në 6 vite. Të dhënat e fundit zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se, në tremujorin e tretë të këtij viti, borxhi i qeverisë zbriti në 69.77 për qind e prodhimit kombëtar, nga 72.21 për qind që ishte në fund të vitit të kaluar.
Rënia është rezultat i dy faktorëve: zgjerimit të ekonomisë dhe ngadalësimit të huamarrjes. Sipas Ministrisë së Financave, Produkti i Brendshëm Bruto i vendit pritet të arrijë 1 trilion e 530 miliardë lekë këtë vit, nga 1 trilion e 444 miliardë lekë që ishte vitin e kaluar.
Por veç rritjes nominale të prodhimit kombëtar, trajektorja rënëse e borxhit është përcaktuar edhe nga politika konsoliduese që ka ndjekur qeveria për 3 tremujorët e parë të vitit.
Edhe pse Kuvendi e ka autorizuar qeverinë që të marrë 35.7 miliardë lekë borxh për vitin 2016, deri në fund të shtatorit, Ministria e Financave nuk ka kontraktuar asnjë kredi të re. Sipas të dhënave zyrtare, në fund të nëntëmujorit, bilanci i buxhetit ka rezultuar me suficit prej 10.5 miliardë lekësh, për shkak të shpenzimeve më të ulëta sesa plani.
Të dy këta faktorë, rritja e prodhimit kombëtar dhe ulja e huamarrjes, kanë bërë që borxhi publik i vendit të bjerë për herë të parë që nga viti 2010, me 2.44 pikë përqindjeje. Rënia ka ardhur si nga borxhi i brendshëm, ashtu dhe ai i jashtëm.
Megjithatë, gjasat janë që i gjithë viti 2016 të mbyllet me një ulje më të vogël të borxhit, pasi pritet që në dy muajt e fundit të vitit, qeveria të marrë rreth 36 miliardë lekë borxh sipas planit buxhetor që ka autorizuar Kuvendi./tch/