Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) do të vazhdojë edhe nesër, më 4 gusht 2026, në Prishtinë, mbledhjen e nënshkrimeve për nismën legjislative qytetare që synon ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit, stenda e IKD-së do të vendoset në sheshin “Nëna Terezë”, pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku qytetarët do të kenë mundësi të informohen për përmbajtjen e nismës dhe ta mbështesin atë me nënshkrimin e tyre.
IKD bën të ditur se nisma legjislative përfshin dy propozime kryesore.
“Nisma legjislative qytetare synon ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal përmes dy propozimeve kryesore: përcaktimin si vepër penale të moszbatimit të qëllimshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe sanksionimin penal të përdorimit të parasë publike për përfitim elektoral gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore”, thuhet në njoftim.
Instituti u ka bërë thirrje qytetarëve që ta vizitojnë stendën dhe ta mbështesin nismën me nënshkrimet e tyre.
“IKD fton qytetarët ta vizitojnë stendën në sheshin ‘Nëna Terezë’, të informohen për nismën legjislative qytetare dhe ta mbështesin atë me nënshkrimin e tyre. Çdo nënshkrim është një kontribut për forcimin e sundimit të ligjit, respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe mbrojtjen e parasë publike nga keqpërdorimi për përfitim elektoral”, thuhet në njoftimin e IKD-së.




























