Lajmet

Më 41 vota për Kuvendi Komunal i Prishtinës miraton Kornizën Afatmesme Buxhetore 2027-2029

30.06.2026 15:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Më 41 vota për Kuvendi Komunal i Prishtinës miraton Kornizën Afatmesme Buxhetore 2027-2029

Në një seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar me shumicë votash Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) për periudhën 2027-2029, dokumentin që përcakton orientimet strategjike dhe planifikimin financiar të kryeqytetit për tri vitet e ardhshme. Propozimi u votua me 41 vota për, dy kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa gjatë debatit asamblistët e partive politike shprehën qëndrime të ndryshme, duke vlerësuar dokumentin, por edhe duke adresuar kritika dhe sugjerime lidhur me prioritetet zhvillimore, investimet kapitale dhe menaxhimin e financave komunale, raporton Ekonomia Online.

Drejtoresha e Financave në Komunën e Prishtinës, Valbona Makolli, gjatë prezantimit të dokumentit tha se KAB është dokumenti kryesor strategjik që përcakton zhvillimin dhe planifikimin buxhetor të kryeqytetit për tri vitet e ardhshme.

“Sot do t’ju paraqes dokumentin bazë më të rëndësishëm të kryeqytetit, Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) për periudhën 2027–2029. Siç e ceka më lart, KAB-i, apo Korniza Afatmesme Buxhetore, është një ndër dokumentet bazë, në bazë të së cilës shihet strategjia dhe zhvillimi i kryeqytetit për këtë periudhë kohore. Korniza Afatmesme Buxhetore është e përpiluar në përputhje me procedurat buxhetore për vitet 2027–2029, të dhëna nga Ministria e Financave përmes Qarkores Buxhetore 2027/01 për komunat, si dhe për nivelet e tjera qeveritare.

KAB-i është i bazuar edhe në ligjet të cilat duhet të merren parasysh para aprovimit të tij, që janë:

Ligji për Financat e Pushtetit Lokal;

Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë;

Ligji për Vetëqeverisjen Lokale;

Ligji për Kufijtë Administrativë Komunalë.

Korniza Afatmesme Buxhetore përmban të gjitha objektivat e Komunës së Prishtinës për këtë periudhë, e cila është në harmonizim me objektivat e Qeverisë së Kosovës, si dhe përcakton të gjitha limitet e shpenzimeve buxhetore sipas planifikimeve, pas dëgjimeve buxhetore dhe pas pranimit të qarkores së dytë nga Ministria e Financave.

Objektivat kryesorë të Kornizës Afatmesme Buxhetore janë: 1. Shtimi i efikasitetit në shpenzimet buxhetore komunale; 2. Shfrytëzimi maksimal i të hyrave; 3. Respektimi i afateve kohore gjatë periudhës trivjeçare.

Po ashtu, ka rëndësi shumë të madhe rritja e efikasitetit në vjeljen e të hyrave vetanake të përcaktuara në këtë qarkore, si dhe mundësia e zbatimit të tarifave të reja, duke u bazuar në Rregulloren për Kryeqytetin.

Rëndësi jo më pak do të ketë edhe rritja e kapaciteteve njerëzore, që nënkupton trajnimin e burimeve njerëzore, si dhe monitorimin e tyre“, tha ajo.

Në emër të grupit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, asamblisti Egzon Pacolli deklaroi se do ta mbështesin miratimin e Kornizës Afatmesme Buxhetore.

“Ne e përkrahim propozim-vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për miratimin e Kornizës Afatmesme Buxhetore për periudhën 2027-2029 të KAB-it“, tha ai.

Ndërkaq, asamblistja e Partisë Demokratike të Kosovës, Fjolla Vukshinaj-Reçica, e vlerësoi dokumentin si më të detajuar se në vitet e kaluara, por paraqiti edhe një sërë rekomandimesh për sektorë të ndryshëm.

“Sot kemi para vetes Kornizën Afatmesme Buxhetore, një dokument që i paraprin buxhetit të vitit 2027 dhe përcakton orientimin zhvillimor të kryeqytetit për vitet në vijim. Prandaj, nuk është vetëm një dokument financiar, por një dokument politik, sepse tregon se ku duhet të shkojë Prishtina.

Në emër të grupit të asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), dua të them se e vlerësojmë punën që është bërë në përgatitjen e këtij dokumenti. Korniza është më e detajuar sesa në vitet e kaluara, është më e qartë në paraqitjen e të hyrave dhe reflekton rekomandimet e Ministrisë së Financave. Kjo është për t’u përshëndetur.

Po ashtu, është inkurajuese që të hyrat komunale planifikohen të rriten: Nga rreth 42.6 milionë euro sa kanë qenë në vitin 2026. Në mbi 48.1 milionë euro për vitin 2029.

Kjo i bie një rritje prej 13% dhe tregon ambicie. Shpresojmë që kjo do të shoqërohet edhe me një efikasitet më të madh në administrimin e financave publike.

Megjithatë, suksesi i një komune nuk matet vetëm me rritjen e të hyrave. Ajo matet edhe me mënyrën se si i kthen këto në shërbime dhe në të mira për qytetarët. Për këtë arsye, një ndër objektivat kryesore të kësaj kornize është edhe ngritja e kapaciteteve njerëzore, profesionalizmi i administratës dhe përdorimi i teknologjisë. Për mua, ky është një nga investimet më të rëndësishme, sepse administrata është fytyra e komunës. Qytetari nuk e mat suksesin tonë me dokumente që ne i miratojmë këtu, por me shërbimet që i merr në sportel, me shpejtësinë e përgjigjes dhe me respektin që i ofrohet. Sa i përket projekteve prioritare, për mua ky dokument nuk është vetëm një raport me shifra; ajo është një dëshmi e jona e përbashkët dhe duhet të reflektojë nevojat reale të qytetit.

Tani kam disa komente në lidhje me drejtori të caktuara, dhe shpresoj që këto të merren si kritikë konstruktive dhe jo si diçka personale:

Tek Drejtoria e Mobilitetit, mendoj se të gjithë pajtohemi se sot lëvizja në Prishtinë është bërë e vështirë dhe shpeshherë e padurueshme për qytetarët. Por, kjo nuk është përgjegjësi e vetme e kësaj qeverisjeje, por rezultat i disa politikave të ndjekura ndër vite. Prishtina vazhdon të jetë një ndër kryeqytetet më të varura nga automjetet private në Evropë.

Për këtë arsye, krahas ideve për ndërtimin e trotuareve të sigurta për këmbësorët, do të dëshiroja të shihja edhe investime në: Pritoret moderne të autobusëve (me tregues digjitalë, ulëse dhe ndriçim). Tabela digjitale informuese. Zgjerimin e rrjetit të korsive të biçikletave.

Këto janë investime që e bëjnë transportin publik dhe lëvizjen alternative më tërheqëse për qytetarët. Edhe tek Drejtoria e Rinisë ka projekte shumë të qëlluara. Rivitalizimi i qendrave rinore është një hap pozitiv, sepse energjia krijuese e të rinjve të Prishtinës vazhdon të mbetet një nga asetet më të mëdha të qytetit. Megjithatë, kur papunësia e të rinjve mbetet rreth 41%, besoj se ky plan mund të ishte edhe më ambicioz.

Një projekt i rëndësishëm do të ishte edhe transformimi i Pallatit të Rinisë, duke pasur parasysh se Komuna e Prishtinës është aksionare kryesore dhe tashmë ekzistojnë iniciativa për sigurimin e fondeve nga Bashkimi Evropian.

Po ashtu, edhe pse subvencionet dhe transferet përbëjnë një pjesë relativisht të vogël të buxhetit komunal, ndikimi i tyre është shumë më i madh sesa pesha financiare që zënë. Përmes tyre mbështetet: Bujqësia, arsimi dhe shëndetësia. Kultura dhe sporti. Shumë iniciativa që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve.

Prandaj, kjo kategori meriton vëmendje të vazhdueshme.

Një sugjerim tjetër është që Korniza Afatmesme Buxhetore të lidhet më qartë me strategjitë zhvillimore të kryeqytetit. Sa më mirë të harmonizohen prioritetet në buxhet, aq më lehtë do të bëhet realizimi i tyre dhe aq më e madhe do të jetë përgjegjësia institucionale“, tha ajo.

Nga ana tjetër, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Feim Osmani, kritikoi përmbajtjen e dokumentit, duke e cilësuar atë si të paqartë në aspektin zhvillimor dhe pa vizion afatgjatë.

“Sikurse edhe herët e tjera, kjo kornizë afatmesme buxhetore e kryeqytetit, e komunës, i cili përcakton kornizën buxhetore për tri vitet e ardhshme, nuk është se është paraqitur edhe ky dokument i hartuar nga ju sikurse në aspektin e të hyrave, ashtu edhe në aspektin e shpenzimeve, nuk është plan ambicioz, por shumë e shumë një dokument i cili është përshtatje e trendeve, pa strategji zhvillimore e pa vizion fare. Në aspektin e të hyrave, për shembull, është planifikim i varur krejtësisht nga grantet qeveritare, të cilat për tri vitet e ardhshme, domethënë nga viti 2027 deri në vitin 2029, ka shifrën prej 372 milionë euro ose 63% të buxhetit në tërësi. Ndërsa të hyrat vetanake për këtë periudhë tri-vjeçare nuk shënojnë më shumë se 138 milionë euro në këtë kornizë, ose vetëm 37% e gjithë buxhetit të paraparë në kornizën afatmesme.

Ky planifikim tregon se kryeqyteti në drejtimin tuaj po ndjek trendin pa strategji e pa vizion fare. E sa analizojmë me kujdes mundësitë që i ka komuna e Prishtinës për realizim shumë më ambicioz të të hyrave, është për t’u habitur se si ky kabinet qeverisës i Prishtinës nuk ka plan e as vizion për ta bërë një gjë të tillë.

Edhe në aspektin e planifikimit të shpenzimeve, gjendja nuk është aspak më e mirë. Madje në aspektin e përgjithshëm zhvillimor të kryeqytetit, një shpenzim i planifikuar në këtë mënyrë është shumë i dëmshëm për vetë kryeqytetin. Nga gjithsej 522 milionë sa janë planifikuar të shpenzohen brenda periudhës sa përfshin kjo kornizë, 311 milionë apo 65% e shumës së përgjithshme hyjnë në kategoritë shpenzuese si: paga dhe mëditje, mallra dhe shërbime, shpenzime komunale dhe subvencione e transferta. E që në aspektin ekonomik, impakti i tyre në zhvillimin apo ngritjen e kualitetit të shërbimeve është shumë e vogël, për mos të… për mos të thënë i pavrejtshëm fare.

E ndërsa pjesa kryesore e buxhetit, e cila është paraparë për investime kapitale si kategoria kryesore buxhetore, e cila është edhe përcaktuese e zhvillimit të gjithëmbarshëm të komunës, e cila po ashtu ndikon në mirëqenien e banorëve të kryeqytetit, është vetëm 35% e buxhetit të tërësishëm apo maksimalisht 210 milionë euro e parashikuar apo e planifikuar për tri vite. E shprehur në shifra të mëdha, vetëm 210 milionë euro, po e përsëris.

Kjo pra është pasqyrë e qartë se si vizioni për Prishtinën është i reduktuar në një pjesë premtimesh fiktive të vitit 2021, të cilat vështirë se do të realizohen, jo për këto tri vite por edhe për shumë të tjera, po t’i keni në dispozicion.

Edhe ky planifikim ndonëse cilësohet si dokument strategjik, si plan buxhetor përmban elemente diskriminuese sa i përket raportit të investimeve në zonat rurale, duke krahasuar natyrisht me zonat urbane. Pra, nga gjithsej 210 milionë euro të planifikuara për investime kapitale, vetëm 11.8 milionë euro janë të parapara për fshatrat ose diçka më shumë se 5% e shprehur në përqindje të buxhetit përkatës. Në këtë rast, këtë dokument buxhetor asesi nuk mund ta quajmë dokument strategjik sepse 80% të territorit të Prishtinës e lë të pazhvilluar ose e dallon nga pjesa tjetër e kryeqytetit“, tha Osmani.

Kritika ndaj prioriteteve të parapara në Kornizën Afatmesme Buxhetore pati edhe nga Partia Socialdemokrate, ku asamblistja Besa Shahini vuri në pikëpyetje investimet në sheshin qendror dhe menaxhimin e mjeteve publike.

“Sheshi absolutisht po i merr paratë dhe do të vazhdojë të ndërtohet me një zell dhe entuziazëm që nuk e meriton, sepse nuk ka qenë asnjëherë prioritet për qytetarët e Prishtinës. U nis si një projekt kurajoz, i cili fillimisht ishte pozitiv pasi po mbyllej një hapësirë në qendër për trafikun në mënyrë që njerëzit të mund të dilnin e të shëtisnin. Megjithatë, ai po përfundon në një projekt që i kushton jashtëzakonisht shumë buxhetit të Komunës së Prishtinës — plot 18 milionë euro — dhe në fund po kthehet në një lloj qendre tregtare. Auditori ka gjetur se për të ndërtuar sheshin janë shkelur të gjitha rregullat e prokurimit dhe as nuk janë marrë lejet përkatëse. Me një entuziazëm të hatashëm është shtyrë përpara kjo çështje, e cila deri tani (duke marrë parasysh që ne si qytetarë nuk e përdorim aq shumë sepse është ende gërmadhë) ka shërbyer vetëm si vend për fushatën zgjedhore mes Përparim Ramës dhe Uran Ismailit.  Kur jemi te Auditori, ai gjithashtu ka nënvizuar problemin e madh se një pjesë gjigante e buxhetit shkon në përmbarim — rreth 45 milionë euro. Një gjetje shumë e rëndësishme është se 1/3 e këtij buxheti (ose më pak) që shkon në taksa të përmbaruesve, paguhet sepse nuk janë ndarë rezerva të mjaftueshme buxhetore që rastet gjyqësore të paguhen me kohë nga vetë komuna.

Dëmi direkt që i bëhet buxhetit janë paratë e pastra që përmbaruesit i futin në xhep, që llogaritet të jenë diku 12, 13, apo 15 milionë euro (pasi nuk dihet saktë shuma totale ekzistuese). Ka nisur të qarkullojë dyshimi, dhe realisht njerëzit po dyshojnë bazuar në këtë vetëvlerësim, që ato para po kthehen pjesërisht në xhepat e njerëzve që po keqmenaxhojnë me buxhetin e Komunës së Prishtinës“, tha ajo.

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


Kurti pret në takim drejtoren për Zgjerim dhe Fqinjësi të BE-së, diskutojnë për anëtarësimin e Kosovës në BE

Kurti pret në takim drejtoren për Zgjerim dhe Fqinjësi të BE-së, diskutojnë për anëtarësimin e Kosovës në BE

Më 41 vota për Kuvendi Komunal i Prishtinës miraton Kornizën Afatmesme Buxhetore 2027-2029

Më 41 vota për Kuvendi Komunal i Prishtinës miraton Kornizën Afatmesme Buxhetore 2027-2029

Rashiq: Formimi i institucioneve të bëhet në një “pako”, të mos lihet hapësirë për bllokada

Rashiq: Formimi i institucioneve të bëhet në një “pako”, të mos lihet hapësirë për bllokada

Përplasja me policinë jashtë ambienteve të Kuvendit, shoqërohen në komisariat disa persona, mes tyre Dritan Goxhaj

Përplasja me policinë jashtë ambienteve të Kuvendit, shoqërohen në komisariat disa persona, mes tyre Dritan Goxhaj

IKSHPK apelon për vaksinim: Fruthi mund të shkaktojë komplikime serioze

IKSHPK apelon për vaksinim: Fruthi mund të shkaktojë komplikime serioze

Gjykata Supreme zgjeron pushtetin e Trump: Presidenti ka të drejtë shkarkimi për drejtuesit e agjencive federale

Gjykata Supreme zgjeron pushtetin e Trump: Presidenti ka të drejtë shkarkimi për drejtuesit e agjencive federale

Haziri: Kosova u penalizua në Samitin e NATO-s, shkak mungesa e stabilitetit institucional

Haziri: Kosova u penalizua në Samitin e NATO-s, shkak mungesa e stabilitetit institucional

Avancimi i FSK-së, 12 kursantë aftësohen në përdorimin e sistemeve moderne të komunikimit

Avancimi i FSK-së, 12 kursantë aftësohen në përdorimin e sistemeve moderne të komunikimit

Haxhiu pret në takim Valentina Supertin, diskutojnë për reformat evropaine

Haxhiu pret në takim Valentina Supertin, diskutojnë për reformat evropaine

SHBA-të do të qëndrojnë me aleatët evropianë në mbrojtje të vendeve baltike, thotë gjenerali amerikan

SHBA-të do të qëndrojnë me aleatët evropianë në mbrojtje të vendeve baltike, thotë gjenerali amerikan

Zyrtarja e lartë e BE-së për Zgjerimin vizitë në Kosovë

Zyrtarja e lartë e BE-së për Zgjerimin vizitë në Kosovë

Gjykimi në Hagë, Serwer: Jam penduar që kam mbështetur krijimin e Dhomave të Specializuara

Gjykimi në Hagë, Serwer: Jam penduar që kam mbështetur krijimin e Dhomave të Specializuara

Bassuener: Riciklimi i narrativës për Kosovën nuk i sjell Serbisë të ardhme më të mirë, as sukses në zgjedhje

Bassuener: Riciklimi i narrativës për Kosovën nuk i sjell Serbisë të ardhme më të mirë, as sukses në zgjedhje

Zyra e BE-së: Kosovës i duhet stabilitet institucional për të përfituar nga momentumi i ri i zgjerimit

Zyra e BE-së: Kosovës i duhet stabilitet institucional për të përfituar nga momentumi i ri i zgjerimit

Vuçiq: Radoiçiqi nuk është kriminel, Vesellinoviqin nuk duhet ta ruajnë pjesëtarët e Xhandarmërisë

Vuçiq: Radoiçiqi nuk është kriminel, Vesellinoviqin nuk duhet ta ruajnë pjesëtarët e Xhandarmërisë

Haziri: LDK-ja ka nisur debatin e brendshëm paszgjedhor, nuk kemi marrë asnjë ftesë për takim

Haziri: LDK-ja ka nisur debatin e brendshëm paszgjedhor, nuk kemi marrë asnjë ftesë për takim