Rikthimi i gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ serb në institucionet e drejtësisë në veri të Kosovës u vlerësua si një hap i domosdoshëm për forcimin e besimit të qytetarëve dhe funksionalizimin e sistemit të drejtësisë, në konferencën “Gjyqësori në Veri të Kosovës: Sfidat, Përfaqësimi Institucional dhe Perspektivat e Rikthimit”, të organizuar nga Qendra për Avokim të Kulturës Demokratike (ACDC).
Pjesëmarrësit në konferencë theksuan se integrimi në sistemin e drejtësisë mbetet një nga elementet kyçe për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, ndërsa u vlerësua se largimi i gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ nga institucionet ka ndikuar në rritjen e lëndëve të pazgjidhura, vonesat procedurale dhe uljen e besimit të qytetarëve.
Shefi i Seksionit të Drejtësisë në UNMIK, Andrea Lako, tha se investimet në sistemin gjyqësor ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë.
“Investimet ndihmojnë në forcimin e besimit në institucionet gjyqësore. Në fakt, projekti i fundit që realizuam me ACDC ishte rinovimi i Divizionit të Gjykatës së Apelit, i cili është një institucion shumë i rëndësishëm, sepse është produkt i drejtpërdrejtë i Marrëveshjes së Brukselit. Integrimi mbetet një nga prioritetet kryesore të UNMIK-ut. Një sistem gjyqësor që pasqyron diversitetin e Kosovës është thelbësor, jo vetëm për përmirësimin e qasjes në drejtësi për të gjitha komunitetet, por edhe për nxitjen e besimit, forcimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe kontributin në stabilitetin afatgjatë”, tha Lako.
Drejtori ekzekutiv i ACDC-së, Dushan Radakoviq, tha se rikthimi në institucionet e drejtësisë duhet të ndodhë sa më shpejt dhe se ky proces ishte vonuar edhe për shkak të zgjedhjeve.
Ai u shpreh se rikthimi i gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ mund të ndikojë pozitivisht edhe në rikthimin e besimit të komuniteteve në veri ndaj institucioneve.
“Prandaj, nga perspektiva juridike, është shumë e rëndësishme që ky proces të realizohet sa më shpejt. Nga kontaktet që kam pasur me ambasada të ndryshme dhe institucione të ndryshme, kam marrë përshtypjen se ky kthim ndoshta do të kishte ndodhur shumë më herët, ndoshta që në fillim të qershorit, sikur zgjedhjet të mos e kishin penguar procesin e kthimit. Por është shumë, shumë e rëndësishme që njerëzit të kthehen në institucione. Mendoj se kthimi i gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ mund të nxisë edhe kthimin e një numri të caktuar policësh në institucione. Sa u përket institucioneve komunale, kjo është tashmë një çështje tjetër, por besoj se kthimi përmes sistemit të drejtësisë mund të inkurajojë rikthimin e një numri të caktuar njerëzish. Nuk po flas konkretisht për policinë, por për kthimin e besimit, i cili aktualisht është shumë i ulët, të komuniteteve në veri ndaj institucioneve. Marrëveshja e Brukselit është marrëveshja më e mirë për sa i përket çështjes së gjyqësorit”, tha Radakoviq.
Zëvendëskryesuesja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Arjeta Sadiku, tha se KGJK-ja ka ndërmarrë hapa që puna e gjykatave të mos ndalet pas largimit të gjyqtarëve dhe stafit administrativ, duke shtuar se efikasiteti i punës është rritur krahasuar me vitet e kaluara.
Ajo theksoi se sistemi gjyqësor vazhdon të ketë përfaqësim të komuniteteve joshumicë në të gjitha nivelet.
“Në Gjykatën Supreme rreth 15 për qind të gjyqtarëve i përkasin komuniteteve joshumicë. Në përgjithësi, në nivelet e sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës ushtrojnë funksionin e tyre gjyqtarë dhe staf administrativ nga komunitetet joshumicë, përfshirë edhe komunitetin serb. Po flas në nivel vendi, në të gjitha nivelet e sistemit gjyqësor. Edhe përbërja aktuale e Këshillit Gjyqësor të Kosovës e pasqyron këtë standard kushtetues. Nga 11 anëtarët e Këshillit, tre anëtarë përfaqësojnë komunitetet joshumicë, përkatësisht komunitetin serb, boshnjak dhe turk. Këto fakte dëshmojnë se sistemi gjyqësor i Republikës së Kosovës është ndërtuar mbi parimet e profesionalizmit, barazisë dhe përfshirjes së të gjitha komuniteteve në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin. Po ashtu, përfaqësimi në gjykata, në Gjykatën e Apelit, përfshin edhe gjyqtarët nga komuniteti serb, si dhe në gjykatat themelore, në Gjykatën Komerciale dhe në Gjykatën Administrative”, tha Sadiku.
Zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Dardan Vuniqi, tha se dorëheqja e gjyqtarëve dhe e 23 zyrtarëve administrativë krijoi një situatë të paprecedentë në sistemin prokurorial.
Sipas tij, kjo ndikoi në rritjen e lëndëve të pazgjidhura, vonesat procedurale dhe kufizimin e qasjes në drejtësi.
“Sepse përveç gjyqtarëve, sipas statistikave zyrtare, janë edhe 23 staf administrativ të cilët janë larguar në po të njëjtën ditë, dhe natyrisht që kjo ka krijuar një situatë të paprecedentë. Pasojat pastaj menjëherë janë reflektuar në rritjen e numrit të lëndëve të pazgjidhura, në vonesat procedurale në lëndët të cilat ata i kanë pasur në punë dhe rrjedhimisht ka kufizuar edhe qasjen në drejtësi, sepse në këtë formë ndikon edhe në uljen e besimit të qytetarëve”, tha Vuniqi.
Ai shtoi se Këshilli Prokurorial ka marrë masa për të shmangur bllokimin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë duke angazhuar prokurorë nga prokurori të tjera.
“Megjithatë, Këshilli Prokurorial ka krijuar mekanizma dhe ka gjetur rrugë se si të veprohet, duke dërguar prokurorë shtesë nga prokuroritë e tjera, në mënyrë që të mos defunksionalizohet apo të mos bllokohet Prokuroria Themelore në Mitrovicë. Dhe natyrisht që kjo pastaj ka krijuar vështirësi, sepse të gjithë ata që kanë dhënë dorëheqje kanë qenë pikërisht ata të cilët kanë ardhur me Marrëveshjen e Brukselit. Aktualisht janë vetëm pesë të cilët kanë mbetur, sepse disa kanë ndërruar jetë dhe disa të tjerë kanë dalë në pension”, tha Vuniqi.
Konferenca u organizua në kuadër të projektit “Mbështetje për Riintegrimin, të Drejtat Gjuhësore dhe Zvogëlimin e Lëndëve të Pambyllura”, me mbështetjen e UNMIK-ut./EO




























