Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se presidenti i Kosovës duhet të jetë figurë unifikuese jashtë skenës politike. Ai shtoi se nëse shkohet me një figurë politike, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, sipas tij, ka mbështetje dhe unitet popullor.
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjidhja e çështjes së presidentit të vendit duhet të bëhet përmes një figure unifikuese dhe përmes bashkëpunimit ndërmjet subjekteve politike.
Ai tha se procesi i formimit të institucioneve duhet të respektojë rezultatet zgjedhore dhe hapat kushtetues.
“Së pari duhet të presim rezultatin e zgjedhjeve, pastaj duhet ta zgjedhim kryesinë e Kuvendit”, deklaroi Kurti në një intervistë për RTK.
Kurti theksoi se pas konstituimit të Kuvendit nuk do të ketë pengesa për formimin e institucioneve të reja.
“Nuk besoj që do të jetë kurrfarë problemi që Lëvizja Vetëvendosje të ketë shumë më lart se 61 deputetë për mazhorancë”, tha ai.
Duke folur për çështjen e presidentit, Kurti përsëriti qëndrimin se kreu i shtetit duhet të jetë figurë mbi palët politike. “Presidenti duhet të jetë një figurë unifikuese, jashtë skenës politike dhe polemikave ditore”, u shpreh ai.
Ai shtoi se ka pasur përpjekje për të gjetur kandidatë konsensualë dhe jashtë politikës aktive. “Ne kërkuam vazhdimisht prej opozitës figura jashtë skenës aktuale politike… sepse ashtu duhet të jetë presidenti”, tha Kurti. Sipas tij, janë bërë disa propozime dhe tentativa për marrëveshje ndërpartiake, por ato nuk janë pranuar.
Kurti përmendi edhe disa emra si pjesë e diskutimeve për kandidatë potencialë, duke theksuar se synimi ka qenë gjetja e një figure të pranueshme për të gjitha palët. “Presidenti nuk është palë pushteti… është shprehje e unifikimit, e unitetit të popullit”, deklaroi ai.
Ai shtoi se në mungesë të konsensusit, kandidati i Vetëvendosjes do të përfaqësonte, sipas tij, shumicën parlamentare dhe elektorale. “Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje do të jetë shprehje më e lartë edhe e madhe e unitetit popullor”, u shpreh Kurti.




























