Një i mitur ka mbetur i plagosur si pasojë e një therjeje me thikë që ka ndodhur të enjten mbrëma në rrugën “Avdulla Tahiri” në Gjilan.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka bërë të ditur për Infosot se rreth orës 20:53 policia ka pranuar informatën për një përleshje mes dy të miturve, ku viktima është i lindur në vitin 2008, ndërsa i dyshuari në vitin 2009.
Sipas Hashanit, i dyshuari është arrestuar në vendin e ngjarjes nga zyrtarët policorë, ndërsa viktima është dërguar për trajtim në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Gjilan.
“Bazuar në raportin e mjekut, gjendja e viktimës është stabile”, ka deklaruar Hashani.
Lidhur me rastin janë njoftuar prokurori i shtetit dhe njësitet relevante policore, ndërsa rrethanat e ngjarjes po hetohen nga Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.




























