Kryetarja e Iniciativës KOMRA, Natasha Kandiq, i tha Radios Evropa e Lirë se Serbia me arrestimin e drejtorit të Policisë së Kosovës, për rajonin e Mitrovicës Jug, Nehat Thaçi, “është futur në një gjendje që nuk i takon as të kaluarës dhe as të ardhmes”.
Ajo e përshkroi veprimin e policisë serbe si “të pamenduar politikisht dhe juridikisht”.
Kandiq tha se me veprimet, siç është ai i arrestimit të drejtorit të Policisë së Kosovës, ”Serbia edhe drejtpërdrejt mund të rrezikojë krijimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, që dyshohet t’i kenë kryer pjesëtarët e ish-UÇK-së”.
“Kur shikohet se cila ka qenë baza dhe cilat janë dëshmitë për akuza të tilla, është e qartë se bëhej fjalë për akuza politike. Ajo që përshkruhej në ato akuza, thjeshtë nuk do të kalonte asnjë instancë të cilësdo qoftë ekspertizë juridike”, tha Kandiq.