Gjykata e Apelit ka vendosur që ta shtyjë gjykimin në rastin e Oliver Ivanoviqit.
Shtyrja e kësaj seance gjyqësore ka ndodhur pasi avokatët mbrojtës të Ivanoviqit dhe të tjerëve kanë kërkuar që ta përjashtojnë nga procedura anëtarin e Kolegjit Gjyqësor, Driton Muharremi, njofton Klan Kosova.
Kjo kërkesë i është parashtruar Gjykatës së Apelit ndërkohë që kryetarja e këtij institucioni nuk ka vendosur ende për këtë kërkesë prandaj seanca gjyqësore është shtyrë deri në një vendim të ri.
Politikani serb, bashkë me Dragolub Delibashiq, Aleksandar Lazoviq dhe babë e bir, Ilja e Nebojsha Vujaçiq akuzohen për krime të rënda, përfshirë edhe ato të luftës.
Ivanoviq ka dy aktakuza, një për vrasjet e shqiptarëve në prill të vitit 1999 në jug të Mitrovicës, ndërsa aktakuza tjetër atë e ngarkon bashkë me të tjerët për vrasje të shqiptarëve në shkurt të vitit 2000 në veri të këtij qyteti.