Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim (QHDP) publikoi analizën e shkurtër “Përmirësimi i llogaridhënies politike në financimin e partive në Kosovë: Eksplorimi i varianteve për përmirësimin e mbikëqyrjes”, ku të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve qendrore dhe ata të shoqërisë civile.
Kjo analizë e shkurtër është pjesë e projektit “Praktikat informale të kapjes së burimeve ekonomike nga elitat politike: eksplorimi i patronazhit partiak në Kosovë dhe Serbi”, produkt i të cilit është libri “Rrjetet joformale të pushtetit, patronazhi politik dhe klientelizmi në Kosovë dhe Serbi”.
Ky hulumtim vë theksin te financimi i subjekteve politike përmes donacioneve, duke e parë si burim kryesor të informalitetit ekonomik dhe politik.
Po ashtu thuhet se mungesa e kontrollit financiar të paraparë me ligj çon në mungesë të mbikëqyrjes, llogaridhënies, transparencës, dhe po ashtu shkakton kosto ekonomik si dhe shoqërore-politike.
Problem tjetër përbën edhe mënyra e tanishme e auditimit të financimit të subjekteve politike. Sipas raportit, burim i këtyre problemeve mbetet mungesa e vullnetit të politikanëve, e në veçanti e deputetëve të Parlamentit të Kosovës, për të luajtur një rol më të rëndësishëm në përmirësimin e gjendjes së tanishme.
Ndër të tjera, raporti rekomandon që të zbatohen nenet nga Ligji për Financimin e Subjekteve Politike që kanë të bëjnë më raportimin financiar, kontrollin financiar dhe sanksionet, të zgjidhen auditorët në bazë të ligjit për auditimin e raporteve vjetore dhe të fushatës zgjedhore për vitet 2013, 2014 dhe 2015, të aplikohen dënime për ato parti të cilat nuk i kanë dorëzuar raportet vjetore dhe deklarimet financiar të fushatës, të shqyrtohet mundësia e ndryshimit të mënyrës së auditimit, të rritet transparenca dhe llogaridhënia, si dhe të krijohet vullneti politik për përmirësimin e gjendjes së tanishme.