Rritja ekonomike në Kosovë parashihet të jetë 3.6 për qind për vitin 2016, që është më e ulët për 0.3 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Këto të dhëna janë publikuar të martën në Raportin e rregullt për Evropën Juglindore të Bankës Botërore, shkruan sot Koha Ditore.
Rritja ekonomike, sipas këtij raporti, po forcohet në Evropën Juglindore nga 2.2 për qind në vitin 2015 në 2.7 për qind në 2016, ndërsa në Kosovë po ndodh e kundërta. Përmirësime nuk do të ketë as në punësim.
Edhe pse masat rregulluese fiskale si reformat e tatimeve dhe lufta kundër informalitetit kanë vazhduar të rrisin performancën e të hyrave në gjysmën e parë të këtij viti, sipas BB-së, numri i madh i paparashikuar i përfituesve nga skema e transfereve sociale për veteranë të luftës ka shtuar presionet fiskale dhe ka shtyrë deficitin në rreth 2.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Në Raportin e Bankës Botërore po ashtu thuhet se investimet e huaja direkte kanë rënë për 36 për qind në gjysmën e parë të vitit 2016.