Aktakuzë: Prokurori u korruptua me një kosë, një çadër dhe kërkoi 5 mijë euro

E publikuar: 26/09/2016 11:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rregullimi i një kose bari pa para, një çadër dielli dhe pesë mijë euro, do t’i mjaftonin prokurorit Bajram Hamitaga që mos të ngrehte aktakuzë kundër një të riu nga rajoni i Malishevës për armëmbajtje pa leje. Kur, nuk i mori paratë, Prokurori pos që ngriti aktakuzë për këtë vepër, të riun e akuzoi pa asnjë provë edhe për vrasje të rëndë në tentativë.

Prokurori Bajram Hamitagaj, po e hetonte një të ri nga rajoni i Malishevës për armëmbajtje pa leje.

Gjatë kohës sa po e mbante në paraburgim, prokurori kishte rregulluar një kosë bari tek familjarët e të pandehurit dhe kishte marrë një çadër dielli.

aktakuza-1-730x440

Por, ai kishte nevojë për më shumë favore.

I donte pesë mijë euro nga familja e të pandehurit, Granit Paçarizi, me arsyetimin se e kishte djalin e sëmurë.

Paratë i kishte kërkuar nga gjyshi i Granitit në formë huaje, ndërkohë që nipin po ia mbante në paraburgim.

Kur paratë nuk i kishte marrë, prokurori kishte ngritur aktakuzë kundër Granit Paçarizit për armëmbajtje pa leje. Prokurori, Hamitaga nuk kishte vonuar shumë. Kishte ngritur një aktakuzë të dytë kundër Granit Paçarizit për vrasje të rëndë në tentativë, ani se nuk kishte asnjë provë për një gjë të tillë.

Kur, Graniti dhe familja e tij kishin dëshmuar në Polici për këto veprime të prokurorit Hamitaga, në skenë kishte dalë shoferi i tij, Luan Delili.

Delili e kishte takuar personalisht të pandehurin Granit Paçarizi në një restorant në Prizren. I kishte kërkuar që të tërhiqte deklaratën e dhënë në Gjykatë se prokurori kishte kërkuar pesë mijë euro.

Si shpërblim për këtë, shoferi kishte garantuar se Prokurori nuk do të ngrehte aktakuzë për armëmbajtje pa leje.

Paçarizi nuk kishte pranuar. Kishte dhënë deklaratë edhe për këtë rast. Pas një hetimi disamujor, Prokuroria Themelore e Gjilanit ka ngritur aktakuzë kundër të dyve.

Prokurori po akuzohet për shpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërsa shoferi i tij për frikësim të dëshmitarit.

Aktakuza kundër tyre është dorëzuar të premten në Gjykatën Themelore të Gjilanit.

Një kopje të saj e ka siguruar Insajderi.

“Nga muaji Korrik i vitit 2013 deri me datën 22 janar 2015, në regjinon e Prizrenit, i pandehuri Bajram Hamitaga, si person zyrtar në cilësin e prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe djalin e tij, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare”, thuhet në aktakuzë.

Sipas Prokurorisë së Gjilanit, gjatë zhvillimit të hetimeve kundër të pandehurit Granit Paqarizi, i dyshuar për vepër penale mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve, si dhe të pandehurve të tjerë, prokurori Bajram Hamtiagaj, është takuar disa herë me familjarët e të dyshuarit i cili ka qenë në masën e paraburgimit edhe më pas edhe në masën e arrestit shtëpiak, si dhe pa pagesë ka rregulluar dy herë kosën për prerjen e barit dhe ka marrë një çadër.

Ai u kishte thënë familjarëve se “Graniti është në rrezik dhe bjerni mas…”.

“Po ashtu i pandehuri Bajram Hamitaga, u ka thënë familjarëve të Granitit se ‘që një kohë e ka djalin të sëmurë dhe ka dashur t’ua kërkojë 5.000 euro”.

“E di që nuk më kishit kthyer por shkaku i këtij rasti që është në procedurë penale Graniti, nuk kam mundur të ju kërkoj para hua..”, thuhet në aktakuzë.

Pak ditë më vonë, prokurori Bajram Hamitaga, ka ngritur aktakuzë kundër Granit Paqarizi, për vepër penale mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve.

Këtë e ka bërë pasi që familjarët e Granit Paqarizit nuk i kanë dhënë.

Ndërkohë, prokurori ka ngritur një aktakuzë tjetër kundër Granit Paçarizit më 2 korrik 2015, për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë dhe për vepër penale mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas Prokurorisë së Gjilanit, këtë aktakuzë e ka ngritur pa siguruar ndonjë provë tjetër shtesë dhe se në hetimin e parë nuk kishte asnjë provë për këtë vepër penale.

Ndërkohë, shoferi i Prokurorit Hamitaga, Luan Delili më 08 prill 2016 rreth orës 12.20 është takuar me Granit Paçarizin në restorantin “Helthi Food Gold Gym” në Prizren.

Në këtë takim, shoferi kishte kërkuar nga Granit Paçarizi që të mos dëshmojë kundër prokurorit dhe ta tërheq deklaratën që kishte dhënë në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prizren, se prokurori Hamiagaj i ka kërkuar 5.000 euro gjyshit të tij.

Shoferi kishte premtuar Granit Paçarizit se nuk do të ngrehej aktakuzë kundër tij nga prokurori, Hamitaga. Kjo bisedë është incizuar nga Policia e Kosovës.