Qeveria drejt riformatimit – s’tregojnë se cili ministër do të shkarkohet

E publikuar: 24/09/2016 12:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e udhëhequr prej Isa Mustafës po shkon drejt riformatimit. Ende askush s’ka përmendur emrat e ministrave që do të shkarkohen. S’dihen as emrat e atyre do të bëhen pjesë e Qeverisë PDK-LDK. Dy partnerët e koalicionit po kërkojnë që ndryshimet në Qeveri të ndodhin. Kërkesë të njëjtë kanë edhe amerikanët.

Nënkryetari i PDK’së, Arsim Bajrami kishte pasur fatin e keq në prill të vitit 2010, kur ishte shkarkuar nga pozita e Ministrit të Administratës Publike. Atëkohë, vendimin e kishte marrë Kryeministri Hashim Thaçi. Në Qeverinë e parë të pasluftës ndërmjet PDK’së e LDK’së, ishin shkarkuar edhe Nekibe Kelmendi e Zenun Pajaziti.

Të dy partitë, përsëri, e kanë riaktualizuar idenë e ndryshimeve në Qeveri.
Por, a do ta ketë Arsim Bajrami përsëri fatin e njëjtë si në vitin 2010?

Askush në PDK e LDK nuk japin përgjigje. Refuzojnë të japin emrat e Ministrave që do të shkarkohen por vetëm theksojnë se rifotmatimi duhet të ndodhë.

Nënkryetari i LDK’së, Agim Veliu ka thënë se kanë kërkuar edhe më herët që të ketë ndryshime në Qeveri dhe të largohen disa ministra.

“Nuk dëshiroj që të lëshohem në të tilla deklarata, sepse unë i vlerësoj institucionet. Por riformatimi duhet të ndodhë”, ka thënë Veliu, për Gazetën Express, të shtunën.

“Për ri formatimin e Qeverisë, ne si LDK kemi biseduar dhe më parë. Por këto janë çështje që duhet diskutuar nga nivelet qendrore. Ne presim që Qeveria do ta shtrojë në diskutim këtë çështje”, ka shtuar ai.

Nevoja për ri formatimin e Qeverisë është shtruar edhe nga ana e zyrtarëve shtetërorë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje vet ambasadori i SHBA’së, Greg Delawie,  në takimin e mbajtur të premten i ka kërkuar kreut të Kuvendit, Kadri Veselit, që të bëhen ndryshime në Qeverinë e udhëhequr nga PDK e LDK.

Shefi i ri i Grupit Parlamentar të PDK’së, Zenun Pajaziti i cili e kishte përjetuar vet shkarkimin në vitin 2010 kur ishte pjesë e Qeverisë refuzon të flas për planet aktuale të PDK’së. Arsyetohet se është i zënë me familje.

Madje, nuk flet as për kërkesën e amerikanëve drejtuar Kryetarit të PDK’së, Kadri Veseli për ndryshimet në Qeveri.

“Nuk jam i interesuar që t’i komentoj deklaratat e Veselit, jam me familje”, i ka thënë shkurt gazetës, Pajaziti.

E ndërkohë në takimin e djeshëm me ambasadorin amerikan, nevojën për ri formatimin e Qeverisë, e ka shtuar edhe kryeparlamentari Veseli i cili ka theksuar se reformat në Qeveri duhet të fokusohen në reforma ekonomike, për të hapur perspektivë më të madhe të zhvillimit ekonomik të vendit.

Dy partitë në pushtet kanë paralajmëruar ndryshime në Qeveri. Kanë premtuar, po ashtu, edhe zvogëlimin e Ministrive.

Aktualisht, Ministria e Integrimeve dhe ajo e Ambientit janë pa Ministra, pasi Bekim Çollaku ka shkuar në Presidencë e Ferid Agani po ballafaqohet me akuza për kohën sa ishte në Ministrinë e Shëndetësisë.