Telegrafi Maqedoni dje shkroi për gazetarin kontravers i cili shkatërroi pllakën përkujtimore të bullgarëve, që u vendos në majën malore të Kajmakçallanit, që u kushtohet ushtarëve bullgar të rënë në Luftën e Parë Botërore.
Ky akt ka shkaktuar reagimin e deputeti bullgar, Rosen Petrov, i cili ka kërkuar nga ministria e jashtme bullgare që të thirret në bisedë ambasadori i Maqedonisë në Sofje. Njiherit Petrov ia ka kujtuar Maqedonisë ndihmën bullgare në rastin e shpalljes së pavarëisisë nga Jugosllavia e atëhershme, pastaj edhe ndihmën ushtarake bullgare për Maqedoninë gjatë konfliktit të vitit 2001.
Ai ka theksuar se me një sjellje të këtillë Maqedonia i rrezikon eurointegrimet. Zheljko Bojçev, deputet socialist bullgar që ka marrë pjesë në vendosjen e kësaj pllake, paralajmëroi një fushatë për ngritjen e një përmendore të përshtatshme të re. Sot Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar ndaj deklaratave të deputetëve bullgar duke thënë ”Nga MPJ e Maqedonisë kërkohet që fqinjët tanë të respektojnë procedurat ndërkombëtare për të vendosur buste dhe pllaka përkujtimore. Presim që institucionet në Bullgari që të shuajnë këto veprime dhe aktorët e vendosjes ilegale të pllakave përkujtimore në territorin e një shteti tjetër, të cilat më vonë mund të jenë qëllim i dhunës ose të provokojnë ndjenja negative tek qytetarët tanë” thuhet në reagimin e MPJ-së Maqedonase, reagim ky që është nënshkruar nga vetë ministri Nikolla Poposki.