Opozita e sigurtë që demarkacioni s’kalon, Lista serbe thotë se s’ka vënë kushte

E publikuar: 17/09/2016 12:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Opozita e sigurtë që demarkacioni s’kalon, Lista serbe thotë se s’ka vënë kushte

Megjithëse një vit e më shumë u bë zhurmë e madhe rreth demarkacionit me Malin e Zi, këto ditë nuk është në agjendën e Qeverisë dhe Kuvendit kjo çështje. As në seancën e radhës, e cila pritet të mbahet më 22 shtator, demarkacioni nuk është në rend dite. Partitë opozitare deklarojnë se demarkacioni nuk është në rend dite, pasi që koalicioni qeveritar nuk i ka votat për këtë.

Faton Topalli nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se e vetmja arsye pse projektligji për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, nuk është në seancën e radhës, është se koalicioni qeverisës nuk i ka numrat. Ndërsa, beson që kurdo që kjo marrëveshje të vie në seancë, nuk do të kalojë, pasi që edhe deputetët e pozitës janë të vendosur ta votojnë kundër.

”Marrëveshja për demarkacionin e bërë me Malin e Zi, është tani më marrëveshje e vdekur për arsye se kemi një kundërshtim jashtëzakonisht të madh qytetar. Kemi kundërshtimin e opozitës, kemi 205 mijë nënshkrime të mbledhur, kemi zëra bukur pozitiv nga Mali i Zi për ta rishqyrtuar këtë çështje, kështu që vetëm një Qeveri çfarë është kjo e jona, mund të ngul këmbë për ta vazhduar këtë çështje por faktikisht demarkacioni ka vdekur. Qeveria nuk i ka numrat, as koalicioni i madh qeverisës edhe brenda LDK-së, edhe brenda PDK-së, kemi deputet të cilët e kundërshtojnë demarkacionin dhe mendoj që kjo është arsyeja që nuk vjen në kuvend dhe unë sinqerisht nuk besoj se nuk duhet të vijë, përveç nëse ekziston një marrëveshje e përgjithshme, që të mos votohet. Unë besoj që nuk do të votohet në cilëndo kohë që sillet në kuvend”, thotë ai.

Sipas Topallit, Qeveria do të duhej ta tërheq këtë marrëveshje dhe të fillojë një marrëveshje të re me Malin e Zi. Ai thotë që në seancë mund të vie vetëm për t’u kundërshtuar.

“Në këtë formë siç është kjo marrëveshje tani, në seancë mund të vijë vetëm për t’u kundërshtuar por është mirë që Qeveria vet ta tërheq këtë marrëveshje dhe të filloj negociatat e reja, respektivisht të merren vesh me Qeverinë e Malit të Zi, ndoshta për ta dërguar në arbitrazh”, thotë ai.

Edhe Teuta Haxhiaj nga AAK thotë se nga një shtatori, kjo marrëveshje për ta është e vdekur.

“Nga një shtatori për ne si deputet të AAK-së dhe njëkohësisht konsideroj të gjithë deputetët që kanë qenë në sallë, pikërisht me një shtator kjo marrëveshje është e vdekur për neve. Të gjithë këto gjoja tentime për konsultime me partitë politike, apo me kryetarët e komunave të Dukagjinit që po i bënë kryeministri Mustafa, konsiderojmë se janë sa për të humbur kohë, pasi që gjithë ato konsultime është dashur të bëhen para se të nënshkruhet marrëveshja. Jo në një kohë, në një periudhë kur kryeministri i vendit, në vend që të thotë që kemi bërë gabim dhe tani po merremi me gabimin e bërë, jo të merret tani me këto takime sa për të thënë”, thoë Haxhiaj.

Haxhiaj shtoi se edhe numri i deputetëve të pozitës vazhdojnë fuqishëm ta kundërshtojnë këtë version të demarkacionit.

“Jam shumë e sigurtë që çdo ditë numri i deputetëve të pozitës po rritet në përkrahjen e vendimeve që ne i kemi thënë rreth kësaj marrëveshjes. prandaj çdo ditë po bisedojmë me ta dhe jemi të sigurte që kjo marrëveshje asnjëherë s’do të kaloj në versionin aktual”, thotë ajo.

Kurse, kryesuesi i Listës serbe, Sllavko Simiq i demanton deklaratat e zyrtarëve të lartë shtetëror, të cilët pohuan se lista serbe ka vënë kushte për ta votuar demarkacionin. Simiq mohon që kanë pasur kërkesa në këmbim të votës për demarkacionin. Ai për KosovaPress ka thënë në asnjë moment kjo listë s’ka pasur kushte dhe kërkesa.

“Ajo çka është thënë më herët se deputetët e listës serbe nuk kanë ardhur në seancën e kaluar sepse kanë qitur kushte, nuk është e vërtetë. Ne vetëm kemi dashur që të ekzistojë një konsensus i gjerë i partive politike kur është në pyetje vendimi për të votuar për një çështje shumë të rëndësishme siç është demarkacioni. Në të vërtetë kemi dashur që të jetë një koordinim i fortë, një komunikim në mes partnerëve të koalicionit me listën serbe, për një çështje që është shumë e rëndësishme për qytetarët e Kosovës. Lista serbe në asnjë moment nuk ka deklaruar se do të votojë për ose kundër. Dhe në asnjë moment nuk kemi pasur ndonjë kërkesë apo kusht, që të votojmë për demarkacionin me Malin e  Zi. Atë që mund të them është se ne jemi shumë konstruktiv me partnerët e koalicionit, të cilët qe 10 muaj kanë mbajtur stabilitet politik në Kosovë dhe kemi qenë përgjegjës, para këtyre partnerëve dhe të tillë do të jemi edhe në të ardhmen”, ka thënë ai.

Ndryshe, para dy dite përfaqësues të PDK-së, LDK-së, VV-së, AAK-së dhe Nismës Për Kosovën, janë mbledhur sonte në një tryezë, ku temë e bisedimeve ishte çështja e demarkimit të vijës kufitare Kosovë-Mal i Zi, dhe tentimi për të gjetur një zgjidhje në lidhje me këtë çështje e cila ka bllokuar vendin.

Nënkryetari i PDK-së, Elmi Reçica tha për KosovaPress-in se gjatë këtij takimi ka parë një përparim, megjithatë nuk ka dashur të japë detaje të tjera.