Deradikalizimi mision i (pa)mundshëm

E publikuar: 10/09/2016 17:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në kuadër të luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm, dikastere të caktuara të Qeverisë së Kosovës, janë duke punuar në projekte, të cilat do të zbatohen me qëllim të deradikalizimit të personave pjesëmarrës në luftëra të huaja, të atyre që janë të dënuar për vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin, familjarëve të tyre, por edhe personave në përgjithësi që bartin ide radikale dhe të ekstremizmit fetar.

Ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Skënder Hyseni, thotë për Radion Evropa e Lirë se tash e një vit, institucionet e Kosovës kanë iniciuar fushatë, siç e e quan ai, agresive kundër radikalizmit, fushatë e cila po vazhdon edhe tash.

Por, në këtë kuadër, sipas tij, përveç parandalimit të shtrirjes së ideologjisë radikale dhe të ekstremizmit të dhunshëm, janë duke u bërë përpjekje që institucionet t’i qasen konkretisht deradikalizimit të personave që janë, siç thuhet, të ngarkuara me ide radikale, kryesisht fetare.

“Këto ditë jemi duke punuar në hartimin e projekteve, së bashku me Institutin Ndërkombëtar të Drejtësisë. Jemi duke punuar në hartimin e projekteve konkrete për deradikalizim, përkatësisht për ri-integrimin dhe integrimin e qytetarëve të radikalizuar të Kosovës, që janë aktualisht në burgje, apo qoftë edhe në liri, për t’i kthyer ata në shoqëri, të deradikalizuar. Do të thotë, për t’i përgatitur ata për t’u kthyer në shoqëri si qytetarë të devotshëm të këtij vendi”, thotë Hyseni.

Në anën tjetër, kohë më parë, Edon Miftari, këshilltar për Siguri i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, kishte paralajmëruar se çështja e deradikalizimit të personave që bartin ideologji radikale, si dhe mundësia e ri-integrimit të tyre në shoqëri, është pjesë e Strategjisë Nacionale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm.

“Në fakt, objektivi i katërt i kësaj strategjie, ka të bëjë pikërisht me rehabilitimin dhe ri-integrimin e personave të radikalizuar ose që konsiderohen persona që kanë pasur qasje në luftërat në Lindjen e Mesme ose të indoktrinuar dhe të cilët mund të përbëjnë rrezik për vetveten apo për edhe për shoqërinë”, kishte thënë Miftari.

Por, njohësit e rrethanave të sigurisë në vend, vlerësojnë se institucionet e Kosovës, sidomos ato qeveritare, ende nuk i janë qasur konkretisht çështjes së deradikalizimit të personave që bartin ide radikale fetare.

Si duhet qasur procesit të deradikalizimit?

Vesë Kelmendi, hulumtuese nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se institucionet e vendit duhet të bazohen në praktikat e vendeve që tashmë kanë aplikuar programet konkrete për deradikalizim Shembull konkret ajo merr shtetin e Danimarkës, i cili, sipas saj, ka nisur të punojë për derdikalizimin e personave të dënuar për radikalizëm, brenda përbrenda burgjeve në këtë vend.

“Qeveria e Kosovës, sa kam unë informacione, ka filluar me dy nisma që për qëllim kanë ri-integrimin dhe deradikalizimin e ish-luftëtarëve në luftëra të huaja dhe familjarëve të tyre. Mirëpo, në këtë aspekt, sa i përket se sa kanë filluar, nuk është bërë asnjë hap konkret në drejtim të personave që janë të kthyer (nga luftërat e huaja) apo që janë brenda burgjeve në Kosovë”, thotë Kelmendi.

Në anën tjetër, Ismajl Hasani, profesor i Sociologjisë së religjionit, thotë për Radion Evropa e Lirë se për t’iu qasur deradikalizimit të personave që bartin ide radikale dhe të ekstremizmit të dhunshëm fetar, është e nevojshme që në nivel qeveritar, mekanizmat institucionalë të Kosovës, të angazhohen në hartimin e një kurikule të veçantë, në të cilën do të përfshiheshin module specifike të ndara në dy cikle.

Në ciklin e parë, siç thotë ai, njerëzit me ekspertizë brenda qendrave korrektuese, duhet t’i zhvillojnë ato module brenda për brenda institucioneve korrektuese, me njerëzit që aktualisht vuajnë dënimin për vepra që ndërlidhen me terrorizmin dhe pjesëmarrjen në luftëra të huaja.

“Cikli tjetër i moduleve do të zhvillohej me ata, të cilët vjen koha kur mbarojnë vuajtjen e dënimit dhe normalisht që iu duhet një kohë relativisht e gjatë e risocializimit të tyre, përkatësisht ri-integrimit mbase të tërësishëm në rrjedhat normale të shoqërisë”, shpjegon Hasani.

Profesor Hasani shton se paralelisht duhet të punohet me familjarët e personave të dënuar apo edhe atyre që shteti nuk ka arritur t’i kapë, në mënyrë që t’i ruajë nga ndikimi i tyre eventual negativ .

“Në mënyrë që, sa është e mundur, të zbutet problemi i ndikimit të mëtejmë të radikalizmit të pjesës së mbetur të familjeve të këtyre njerëzve. Ata mund ta ushqejnë radikalizmin mbi bazën e sentimentit që kanë për anëtarin e familjes ose mbi bazën e shpëlarjes së trurit që bëhet përmes publikimeve të ndryshme në rrjeteve sociale, që arrijnë prej fushëbetejave”, shton Hasani.

Edhe Kelmendi pohon se familjarët e personave me ide radikale, që kanë marrë pjesë në luftëra të huaja ose që vuajnë dënimin për një vepër të tillë,duhet të jenë subjekte të programeve për deradikalizim dhe ri-integrim.

Megjithatë, ajo shpreh mendimin se nuk mjafton një program i veçantë për t’iu qasur të gjitha subjekteve që kanë përfaqësuar idetë e dhunshme radikale.

“Pra, programi për deradikalizim apo ndaj ideve radikale, duhet të jetë me mundësi adaptimi për secilin individ, veç e veç, që potencialisht mund t’i nënshtrohen programeve. Është problem ta kemi vetëm një qasje, të njëjtë për të gjithë personat e radikalizuar, sepse duhet që këta persona të ndahen dhe të kategorizohen në bazë të së kaluarës ose asaj se sa janë të radikalizuar”, pohon ajo.

Në këtë pikë, ministri Skënder Hyseni, thekson se përpjekjet për deradikalizim do të ndodhin sipas individëve, veç e veç, si dhe në periudha dhe në faza të ndryshme varësisht për rastet që trajtohen.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë, se që nga viti 2013 e deri në korrik të këtij viti, janë mbajtur nën vëzhgim 292 persona të dyshuar për vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm ose përhapjen e radikalizmit fetar. Sipas tyre, janë iniciuar 87 raste, janë arrestuar 119 persona dhe janë bërë kallëzime penale për 219 persona. Rastet, sipas policisë, janë në faza të ndryshme të hetimeve.