Lajmet

Kur fëmijët vuajnë bëmat e të mëdhenjve

08.09.2016 11:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Kur fëmijët vuajnë bëmat e të mëdhenjve

Afganistani, për dekada të tëra, është njëri nga vendet më të varfra në botë. Që nga pushtimi sovjetik, më 1979, është vatër edhe e konflikteve të ndryshme.

Frika për ekzistencën ka bërë që miliona njerëz të ikin nga shtëpitë dhe të nisin jetë të re në Pakistan, Iran apo brenda për brenda Afganistanit. Në mesin e tyre janë qindra-mijëra fëmijë: të privuar nga mundësitë, liritë dhe të drejtat.

Sipas shifrave të fundit të Fondacionit për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara, (UNICEF) janë 50 milionë fëmijë në botë, të zhvendosur nga krizat; 45 për qind e tyre janë nga Siria dhe Afganistani.

Zyrtari për media në përfaqësinë e UNICEF-it në Afganistan, Abdul Aziz Froutan, thotë se fëmijët e familjeve të zhvendosura brendapërbrenda janë veçanërisht të goditur. Ata jetojnë në zona të largëta ose lagje të varfra të Kabulit.

“Fëmijët në kampet në Afganistan janë në kushte të këqija. Nuk kanë qasje në shërbimet shëndetësore, në arsim cilësor, në ujë të pastër e, në disa raste, as në strehim; mbeten nëpër tenda”, thotë Froutan për Radion Evropa e Lirë.

Në disa lagje nuk ka as energji elektrike. Shumë pak fëmijë kanë rroba të përshtatshme dhe shpesh u duhet të përballojnë temperaturat e ulëta pa këpucë. Të tjerë vuajnë nga kequshqyerja kronike.

“UNICEF-i po punon me Qeverinë afgane për t’iu siguruar shërbimet shëndetësore të gjithë fëmijëve, sidomos atyre në zona të largëta. Imunizimi është një program shumë i rëndësishëm dhe prioritet për ne. Po udhëheqim fushata të vaksinimit. Po punojmë po ashtu me Ministrinë e Arsimit për edukimin e fëmijëve. Fokusi ynë janë zonat e largëta”, thotë Froutan, zyrtar në UNICEF.

Pesëmbëdhjetë pas ndërhyrjes ushtarake të SHBA-së në Afganistan, e cila ka rrëzuar regjimin taliban, dhe me miliarda dollarë ndihma financiare, Afganistani prapëseprapë mbetet sinonim i pasigurisë.

Disa organizata për të drejtat e njeriut kanë ngritur alarmin se fëmijët e pashoqëruar refugjatë, gjatë rrugës për në Evropë ose gjetkë, përballen me trauma, përdhunim dhe rrahje. Ata janë të pafuqishëm ndaj trafikantëve, por çelësi mbetet tek autoritetet.

“Kjo sfidë është problem i madh për Qeverinë afgane dhe i duhet bashkëpunim ndërkombëtar. Qeveria është duke punuar me vendet evropiane për të reduktuar migrimin e paligjshëm dhe për të luftuar trafikantët”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Hafeezullah Miankhel, këshilltar në Ministrinë për Refugjatë të Afganistanit.

Në analizën e të dhënave globale, UNICEF thekson se 100,000 të mitur të pashoqëruar kanë aplikuar për azil në 78 vende në vitin 2015 – tri herë më shumë se vitin paraprak.

“Ministria për Refugjatë e Afganistanit ka nënshkruar memorandume mirëkuptimi me Pakistanin, Iranin dhe me disa vende evropiane: Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Zvicrën dhe Danimarkën. Fokusi i tyre është te të drejtat e fëmijëve afganë. Dhe, vendet nikoqire janë pajtuar që të mos i dëbojnë ata”, thotë Miankhel.

Sipas raportit të UNICEF-it, të publikuar të martën, fëmijët përbëjnë një të tretën e popullsisë së botës dhe gati gjysmën e të gjithë refugjatëve.

UNICEF i përshkruan fëmijët si disa nga njerëzit më të rrezikuar në tokë dhe paralajmëron se nëse qeveritë nuk veprojnë, numri i fëmijëve refugjatë mund të rritet.

Vëzhguesit nuk janë optimistë për situatën në Afganistan apo hapat që mund të ndërmarrin autoritetet atje.

Krahas dhunës së militantëve, ekonomia ka stagnuar. Sipas Ministrisë afgane të Shëndetit Publik, rreth 36 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë.

Edukimi është një tjetër sfidë e madhe, edhe pse në një kohë është vlerësuar shumë. Deri në mes të viteve 1990, Universiteti i Kabulit ka tërhequr studentë nga Azia dhe Lindja e Mesme.

Kur talibanët kanë ardhur në pushtet më 1996, ata kanë imponuar kufizime mbi institucionet arsimore dhe kanë kërkuar që feja të jetë mbi të gjitha lëndët e tjera. Me urdhër të talibanëve, gati gjysma e shkollave në vend janë shkatërruar.

Për më tepër, në pesë vjetët e fundit, kriza në Afganistan ka mbetur nën hijen e konfliktit në Siri. Dhe, derisa bota të mos e rimëkëmbë ekonominë atje dhe të mos angazhohet seriozisht në rivendosjen e sigurisë, ikja e trurit nga Afganistani do të vazhdojë./rel/

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


Hamza pas takimit me Kurtin: Së pari ndryshimi i Ligjit për Specialen, pastaj presidenti

Hamza pas takimit me Kurtin: Së pari ndryshimi i Ligjit për Specialen, pastaj presidenti

Shkarkohet Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj

Shkarkohet Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj

Kurti priti në takim Hofreiter, diskutojnë për zhvillimet aktuale në vend

Kurti priti në takim Hofreiter, diskutojnë për zhvillimet aktuale në vend

FSK trajnon instruktorët për të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare

FSK trajnon instruktorët për të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare

KDI: Ushtrimi i detyrës së Presidentit nuk mund të zgjasë përtej gjashtë muajve, kërkohet sqarim nga Kushtetuesja

KDI: Ushtrimi i detyrës së Presidentit nuk mund të zgjasë përtej gjashtë muajve, kërkohet sqarim nga Kushtetuesja

Nesër protestohet edhe në Malmo kundër dënimit të çlirimtarëve

Nesër protestohet edhe në Malmo kundër dënimit të çlirimtarëve

Edi Rama për arrestimet e zyrtarëve: Sistemi tani lufton kundër korrupsionit

Edi Rama për arrestimet e zyrtarëve: Sistemi tani lufton kundër korrupsionit

Haxhiu shqyrton mundësinë t’i drejtohet Kushtetueses për mandatin si Ushtruese e Detyrës së Presidentes

Haxhiu shqyrton mundësinë t’i drejtohet Kushtetueses për mandatin si Ushtruese e Detyrës së Presidentes

Vitia: Avastina do të jetë shumë shpejt në Kosovë

Vitia: Avastina do të jetë shumë shpejt në Kosovë

Kurti publikon foton me Presidentin Trump: E falënderova për investimet në mbrojtje

Kurti publikon foton me Presidentin Trump: E falënderova për investimet në mbrojtje

Orët e fundit për marrëveshje, Kurti e Hamza takohen sot, Specialja dhe Presidenti në tavolinë

Orët e fundit për marrëveshje, Kurti e Hamza takohen sot, Specialja dhe Presidenti në tavolinë

Haradinaj me urim të veçantë për 65-vjetorin e Ahmet Isufit: “Faleminderit, Komandant, për shërbimin ndaj Atdheut!”

Haradinaj me urim të veçantë për 65-vjetorin e Ahmet Isufit: “Faleminderit, Komandant, për shërbimin ndaj Atdheut!”

Rama: Qeveria po tenton ta bllokojë Tulltoren, njëjtë siç veproi me pronën për Universitetin

Rama: Qeveria po tenton ta bllokojë Tulltoren, njëjtë siç veproi me pronën për Universitetin

Kurti dhe Prattipati diskutojnë zhvillimet e fundit politike

Kurti dhe Prattipati diskutojnë zhvillimet e fundit politike

Netanyahu thotë se sulmuesi në avion “iu nënshtrua indoktrinimit radikal islamist”

Netanyahu thotë se sulmuesi në avion “iu nënshtrua indoktrinimit radikal islamist”

Haxhiu: Partitë të heqin dorë nga përpjekjet për ta çuar vendin në zgjedhje

Haxhiu: Partitë të heqin dorë nga përpjekjet për ta çuar vendin në zgjedhje