Arrihet më në fund marrëveshja që i hap rrugë votimit konsensual reformës në drejtësi, ditën e enjte në Kuvendin e Shqipërisë.
Ka qenë ndërhyrja e Komisionerit të Zgjerimit, Johannes Hahn, ajo që ka puqur palët të bien dakord për votimin e nesërm të reformës historike. Top Channel disponon letrën e zotit Hahn dhe vijat e kuqe që u respektuan: tashmë misioni ndërkombëtar, ashtu siç ishte në draftin e printuar nga Ambasada amerikane dhe shpërndarë në Kuvend, do të jetë një referencë në Kushtetutën e Shqipërisë.
Ashtu siç edhe parashihej në draft, misioni ndërkombëtar do të jetë faktmbledhës dhe rekomandues, ndërsa vendimmarrja do të jetë e Komisionit të “Vetting”-ut. Por, ashtu siç kërkoi Partia Demokratike, për çdo rast do të ketë edhe shpjegime.
Gjithashtu është ndryshuar edhe institucioni që menaxhonte procesin e marrjes së aplikimeve për anëtarët në 4 institucionet e reja. Ai nuk do të jetë më Avokati i Popullit, por Presidenti i Republikës. Gjë për të cilën ishte rënë dakord që të hënën.
Tashmë nuk ka asnjë pengesë, që reforma të miratohet me konsensus të enjten në sallën e Kuvendit, nga të gjitha palët.
/ Top Channel