Politikani islamik që refuzon trashëgiminë laike të Turqisë moderne po bëhet gjithmonë e më autoritar në përpjekjet për t’u shndërruar në një president të fuqishëm ekzekutiv. Por, edhe pse në Turqi ndasitë mbeten të mëdha, e tillë është edhe mbështetja për Erdoganin.
Reagimi i njerëzve ndaj tentativës së dështuar të ushtrisë për rrëzimin e tij, e dëshmoi qartë një gjë të tillë.
“Në asnjë moment nuk pata frikë se do ta arrestonin apo ta vrisnin, – i tha “AFP”-së 72-vjeçari Naci Demir, nga Ankaraja. – Erdogani është shumë i fortë që të bjerë në këtë mënyrë, ushtria duhej ta dinte. Ai është udhëheqësi më i madh që kemi pasur ndonjëherë pas Sulejmanit të Madhërishëm”, vazhdon Demir, duke iu referuar njeriut që e udhëhoqi Perandorinë Osmane në periudhën më të lavdishme e të begatë të saj.
Dhe referimi ndaj ditëve të lavdisë osmane nuk është vetëm i tij. Mijëra njerëzit e mbledhur në kryeqytet valëvisnin jo vetëm flamujt e kuq me gjysmëhënën e bardhë të Turqisë së sotme, por edhe flamujt e gjelbërt osmanë.
Një burrë madje mbante në kokë një festë, kapelën zyrtarisht të ndaluar pas krijimit të Republikës turke, me qëllim shkëputjen e kombit nga rrënjët e tij perandorake.
Puçi ushtarak dështoi dhe çmimin për këtë e pagoi vendi me një bilanc të rëndë viktimash. Turqia ka përjetuar grushte shteti edhe më parë, por përpjekja e fundit ishte ndryshe e nxori në pah një mungesë të fortë qëndrueshmërie.
Është e frikshme kur shikon sesi një vend, brenda natës mund të shndërrohet në rajon lufte, me bomba që bien në ndërtesën e Parlamentit, apo avionë luftarakë që fluturojnë në qiellin e Ankarasë.