Sipas raportit më të fundit të transparencës të realizuar nga Facebook, është zbuluar se kërkesat e qeverive janë rritur me 13% në gjysmën e dytë të vitit 2015. Kompania ka marrë mbi 46 mijë kërkesa për të dhënat e përdoruesve gjatë gjashtë muajve të dytë të vitit 2015, krahasuar me rreth 41 mijë kërkesa që ka marrë në gjysmën e parë të vitit 2015. Këtu përfshihen mesazhet, adresat IP dhe informacione rreth llogarisë së përdoruesve.
Në raportin e transparencës është përfshirë edhe Shqipëria, ku janë dhënë detaje mbi kërkesat e qeverisë shqiptare mbi të dhënat e përdoruesve. Në Shqipëri Facebook mori 5 kërkesa në total gjatë gjysmës së dytë të vitit 2015, ku lidhen me të dhënat e 15 llogarive. Facebook iu përgjigj me të dhëna 80% të këtyre kërkesave. Ju kujtojmë se në raportin e kaluar kishte 8 kërkesa në lidhje me të dhënat e 14 llogarive.
Sa i përket shtetit të Kosovës, Facebook mori 16 kërkesa në total gjatë periudhës korrik 2015-dhjetor 2015, që lidhen me të dhënat e 32 llogarive. Facebook iu përgjigj me të dhëna 37% të këtyre kërkesave.
Kjo është një rritje e konsiderueshme nëse krahasojmë me raportin e kaluar, ku autoritetet kishin bërë 6 kërkesa për 14 llogari. Raportin e plotë të transparencës mund ta gjeni këtu.